“STOP” bagëtive nga Maqedonia e Veriut! Kosova ndalon importin e deleve dhe dhive nga fqinji
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka vendosur masë ndalese të pakohshme për import të deleve dhe dhive nga Maqedonia e Veriut. Ky vendim është marr për të mos përhapur sëmundjen e kafshëve të njohur si “Gjuha e Kaltër” në Kosovë
Për shkak të përhapjes së sëmundjes virale “gjuha e kaltër” tek delet dhe dhit në Maqedoninë e Veriut, Kosova ndalon importin e deleve dhe dhive nga ky vend.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë apelohen të gjithë fermerët, të cilët lëshojnë bagëtitë në zonat e brezit kufitar me Maqedoninë e Veriut të mbajnë nën mbikëqyrje tufat e tyre.
“Të shmangin kontakte me kafshët e tufave nga ky vend. Të gjitha autoritetet të ndihmojnë në respektim të masave strikte kufizuese të lëvizjes se bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitarë. Fermerët mbajtëse të deleve dhe dhive të respektojnë urdhëresat për të ruajtur shëndetin e tufave të tyre”, thuhet në njoftim.
Sipas agjencisë, sëmundja e kafshëve “Gjuha e Kaltër” është sëmundje virusale jo ngjitëse, e cila transmetohet përmes pickimit të insekteve të llojit Colicoides.
Nga kjo sëmundje preken ruminantet shtëpiak (gjedhi, delet dhe dhit)! Prej këtyre me e ndjeshme është delja pastaj dhitë dhe gjedhi. Shenjat klinike dhe ngordhjet shfaqen vetëm tek delja. Gjedhi shërben si rezervar i sëmundjes.
Ndërsa behet me dije se sëmundja nuk transmetohet nga kafshët tek njeriu, dhe nuk transmetohet nga kafsha ne kafshë.
Po ashtu Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë më 11 qershor ka njoftuar ndalimin e importit të deleve dhe dhive nga i gjithë territori i Shqipërisë, pas konfirmimit të rasteve të shumta të sëmundjes së murtajës së bagëtive të imta.

