Sulmi në objektet bërthamore të Iranit/ Kosova krah SHBA-së, Kurti: Siguria ka nevojë për më pak bomba bërthamore
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar ditën e sotme pas sulmit amerikan në bazat nukleare të Iranit.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kurti thekson se siguria ndërkombëtare kërkon më pak armatim bërthamor, jo më shumë, veçanërisht kur shtetet autoritare ndjekin programe të rrezikshme të pajisjes me armë nukleare.
Ai shpreh mbështetjen e plotë të Republikës së Kosovës për qëndrimin e ShBA-ve dhe Bashkimit Evropian kundër programit bërthamor të Iranit.
Kurti nënvizon rolin jetik të ShBA-ve si aleat i pazëvendësueshëm dhe mik i veçantë i Kosovës. Ai riafirmon përkushtimin e vendit ndaj vlerave demokratike dhe euro-atlantike.
Reagimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti:
Siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin.
Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese.
Republika e Kosovës përkrah qëndrimin e ShBA-ve dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare.
ShBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special.
Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. ShBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur.
