Samiti në Taormina i kushton vëmendje të veçantë Ballkanit Perëndimor dhe anëtarësimit të tij në BE

Ministrat e Punëve të Jashtme morën pjesë dje në takimin ministror evropian të mbajtur në Taormina, të organizuar nga Italia për të shënuar 70-vjetorin e Konferencës historike të Mesinës – një nga momentet kryesore në formimin e Bashkimit Evropian.

Më poshtë vijon deklarata e përbashkët e vendeve anëtare të BE-së:

Ne, ministrat e Jashtëm dhe përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së u mblodhëm sot në Taormina, në prani të komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, dhe ministrave të Jashtëm dhe përfaqësuesve të kandidatëve dhe kandidatëve potencialë për anëtarësim në Bashkimin Evropian – për të festuar 70-vjetorin e Konferencës së Mesinës dhe për të rikonfirmuar angazhimin tonë të vendosur për integrimin evropian dhe ribashkimin e të gjithë kontinentit.

Ne jemi krenarë për arritjet tona përgjatë rrugës ambicioze evropiane, e cila na ka lejuar të ndërtojmë një Bashkim unik, të pajisur me institucione të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta të sanksionuara në Traktate – një bashkësi paqeje, lirie, demokracie dhe rritjeje – e themeluar në respektimin e së drejtës ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës – një fuqi e madhe ekonomike me nivele të pakrahasueshme të mbrojtjes dhe mirëqenies sociale.

Sot, ashtu si atëherë, po përballemi me sfida ekzistenciale – si në nivel global ashtu edhe brenda Unionit: konflikte, të cilat janë rishfaqur edhe në kontinentin tonë me luftën e paprovokuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës – dhe sfida të tjera si kërcënime të reja hibride, terrorizmi, ndryshimet klimatike, ndërhyrjet e dëmshme në punët tona të brendshme dhe proceset demokratike, migrimi i parregullt, proteksionizmi dhe pabarazia sociale dhe ekonomike në shoqëritë tona.

Megjithatë, jemi të bindur se mund t’i kapërcejmë këto sfida, duke vepruar së bashku në frymën e solidaritetit – dhe duke zbatuar politikat e duhura në mënyrë që t’i ndihmojmë qytetarët tanë të shfrytëzojnë plotësisht mundësitë e reja – të ofruara nga revolucioni i vazhdueshëm teknologjik dhe i digjitalizimit për të siguruar sigurinë dhe mirëqenien e tyre.

Ne jemi të vendosur t’i arrijmë këto qëllime për të gjithë evropianët dhe gjithashtu mbetemi të përkushtuar për të ruajtur një qasje të bazuar në dialog ndaj vendeve të treta.

Rikonfirmimi i unitetit tonë dhe promovimi i konsolidimit dhe zgjerimit të mëtejshëm të Unionit tonë, janë gurët themelorë për të mbrojtur interesat dhe vlerat tona të përbashkëta evropiane, dhe për të nxitur ribashkimin e kontinentit tonë.

Një ndryshim ritmi në aspektin e konkurrueshmërisë dhe rritjes industriale është gjithashtu i nevojshëm, tani më shumë se kurrë, për të patur një treg të drejtë të përbashkët.

Progresi ekonomik duhet të mbështetet nga inovacioni, politikat e forta industriale dhe tranzicioni energjitik i qëndrueshëm dhe i përballueshëm.

Një përparësi kyçe në përgjigje të zhvillimeve në skenën ndërkombëtare është forcimi i mbrojtjes dhe sigurisë evropiane – me financim të përshtatshëm, aftësi të zgjeruara dhe një industri mbrojtëse të përforcuar, në plotësim me NATO-n – në respekt të politikës së sigurisë dhe mbrojtjes të disa vendeve anëtare dhe duke marrë parasysh interesat e sigurisë dhe mbrojtjes të të gjitha Shteteve Anëtare.

Në të njëjtën kohë, ne përsërisim mbështetjen tonë të vazhdueshme për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, dhe mbështetjen tonë për një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë – bazuar në parimet e Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare.

Këto duhet të jenë themelet e së ardhmes sonë të afërt, mbi të cilat duhet të veprojmë së bashku, duke ecur gjithmonë në të njëjtin drejtim.

Të bashkuar në kujtimin e largpamësisë që udhëhoqi ministrat e Jashtëm të gjashtë anëtarëve themelues – gjatë Konferencës së Mesinës në qershor të vitit 1955 – ne angazhohemi të konsolidojmë një Evropë të bashkuar, të sigurt, të begatë, të qëndrueshme, sociale dhe më sovrane në skenën botërore, përfshirë edhe përmes zgjerimit.

Këto janë angazhime që do të kërkojnë një shtysë të re drejt procesit të rëndësishëm të reformës së brendshme – që synon përmbushjen e ambicieve afatgjata të Unionit dhe adresimin e çështjeve kyçe – që lidhen me prioritetet dhe politikat e tij.

Ky proces i reformës së brendshme duhet të mbahet veçmas, por paralelisht me procesin e zgjerimit – gjithashtu në mënyrë që të jemi të gatshëm të përfundojmë në mënyrë efektive një proces zgjerimi të bazuar në meritë – si një përparësi gjeopolitike dhe një investim strategjik në paqe, siguri dhe prosperitet për të gjithë kontinentin.

Ne do t’i ndjekim këto qëllime, të bindur se e ardhmja e Evropës është në duart tona dhe se Bashkimi Evropian është instrumenti më i mirë për të arritur objektivat tona – në një frymë solidariteti, besimi të ndërsjellë dhe bashkëpunimi të hapur dhe transparent – si midis vendeve anëtare ashtu edhe me institucionet e BE-së, në respekt të plotë të parimit të subsidiaritetit.

Një Evropë e bashkuar, demokratike, sovrane dhe e begatë mbetet e ardhmja jonë e përbashkët”, përfundon deklarata.