PL: Shqiptarët paguajnë 50% më shtrenjtë për ushqimet se sa qytetarët europianë

Deklarata e Zëdhënëses së Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli

Në vitin 2024, sipas të dhënave zyrtare të EUROSTAT, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të larta se në pjesën më të madhe të vendeve europiane!

Edhe pse Shqipëria ka pagat më të ulëta në Europë, qytetarët shqiptarë paguajnë 50% më shtrenjtë për ushqimet se sa qytetarët europianë.

Duke ju referuar EUROSTAT, shqiptarët shpenzojnë mbi 40% të të ardhurave mujore vetëm për ushqime.

Si është e mundur që në një vend ku pagat janë mizerabël, ku pensionet janë turp, ku ndihma ekonomike është qesharake, çmimet e ushqimeve të shportës janë më të shtrenjta se në Gjermani apo Austri?!

Sepse kemi një qeveri që ushqen varfërinë për të forcuar pushtetin! Kjo nuk është ekonomi e tregut të lire, kjo është ekonomi e oligarkëve, është politikë shtetërore që ndëshkon të ndershmit dhe shpërblen klientët e pushtetit!

Ndërkohë që fermerët braktisen, prodhimi vendas rrënohet dhe toka mbetet djerrë, qeveria hap rrugën për importuesit monopolistë që i mbushin xhepat me punën dhe djersën e qytetarëve.

Për më shumë se një dekadë, ky regjim ka shkatërruar bujqësinë dhe fermerët shqiptarë, ka braktisur prodhimin vendas dhe ka përqafuar importet nga “miqtë e qeverisë”, ka krijuar një sistem monopolist që vendos çmime sipas interesave politikë, sepse nuk kanë frikë as nga ligji e as nga drejtësia.

Ndërkohë që në Europë TVSH-ja për ushqimet bazë është simbolike, në Shqipëri qytetari paguan 20% TVSH edhe për bukën!

Ndërkohë që vendet e rajonit ndihmojnë prodhuesit, në Shqipëri fermeri lë tokën bosh dhe ikën nga vendi!
Sot, qytetari shqiptar është viktimë e një regjimi që e vjedh në çdo dyqan, në çdo supermarket dhe në çdo treg.
Partia e Lirisë ka një qëndrim të qartë dhe të panegociueshëm:

✅ Ulje urgjente të TVSH-së për ushqimet bazë.
✅ . Subvencione direkte dhe reale për bujqësinë dhe prodhimin vendas.
✅ Kontroll dhe transparencë mbi çmimet në tregun ushqimor dhe konkurrencë e ndershme.
✅ Fund ekonomisë së zhvatjes dhe importit të urisë.
këto janë edhe pikat kryesore që Partia e Lirisë ka përfshirë në programin e saj, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, ku qëllimi final është shndërrimi i Shqipërisë në fuqi prodhuese dhe eksportuese.