Linja e Gjelbër në shërbim të konsumatorëve/ EMA dhe Qendra ALERT me nisma konkrete për mbrojtjen e qytetarëve

Më 14 maj, në ambientet e Europe House në Tiranë, u zhvillua trajnimi i parë për Mbrojtjen e Konsumatorit, organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit”. Ky projekt po zbatohet edhe në gjashtë qytete të tjera të vendit nga Qendra ALERT.

Gjatë trajnimit u prezantua Linja e Gjelbër falas 0800 26 26, një mekanizëm për denoncimin e shkeljeve dhe zgjidhjen e problematikave që prekin të drejtat e konsumatorëve, i menaxhuar nga stafi i Qendrës ALERT.

Një tjetër moment i rëndësishëm ishte njoftimi për krijimin e Rrjetit të Organizatave të Shoqërisë Civile për Mbrojtjen e Konsumatorit, me pjesëmarrjen e 20 organizatave nga e gjithë Shqipëria, të cilat synojnë forcimin e bashkëpunimit dhe ndërhyrjeve në nivel lokal.

Trajnimi theksoi rëndësinë e tryezave të diskutimit dhe këshillimit në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian, me fokus të veçantë te Kapitulli 28 (Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit) dhe Kapitulli 12 (Siguria Ushqimore, Veterinare dhe Mbrojtja e Bimëve).

Ekspertët prezantuan zhvillimet më të fundit në fushën ligjore, përfshirë përafrimin me direktivat e BE-së, ndalimin e praktikave të padrejta tregtare, mbrojtjen e konsumatorëve në përmbajtjen digjitale, shërbimet në distancë dhe kontratat me kushte të padrejta.

Në trajnim morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve shtetërore dhe pushtetit vendor. U theksua roli i Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut dhe njësive vendore. U bë gjithashtu me dije se tashmë është ngritur një databazë me 124 përfaqësues nga 61 bashki, të cilët janë të gatshëm të ndihmojnë qytetarët në rast shkeljesh të të drejtave të tyre si konsumatorë.

Linja e Gjelbër 0800 26 26 mbetet një mjet i rëndësishëm në shërbim të qytetarëve për të raportuar shkeljet dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre si konsumatorë.