Shqipëria synon 7% përdorim të biokarburanteve deri në vitin 2030
Komisioni për Çështjet Europiane miratoi sot projektligjin “Për prodhimin, transportin, tregtimin dhe përdorimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme për transport”.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, e cila prezantoi projektligjin në komision, theksoi se synimi kryesor është promovimi i prodhimit dhe përdorimit të burimeve të energjisë së rinovueshme në sektorin e transportit.
Kjo bëhet përmes përdorimit të biokarburanteve, të cilat zëvendësojnë pjesërisht nënproduktet e naftës me lëndë djegëse jo fosile për motorët me djegie të brendshme.
Sipas zv/ministres Muçaj, parashikohet që përdorimi i biokarburanteve të rritet me 1% çdo vit, duke arritur në nivelin 7% deri në fund të vitit 2030.
Kjo synon përmbushjen e direktivave të Parlamentit Europian dhe detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian, si dhe garantimin e mbrojtjes së mjedisit përmes reduktimit të emetimeve të gazeve serrë.
“Shqipëria është në një fazë shumë të avancuar në përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së dhe po adapton paketën e tretë të energjisë, e cila përfshin një seri aktesh legjislative që ne kemi adoptuar. Aktualisht jemi duke implementuar standardet më të fundit të miratuara nga Komisioni Europian, duke krijuar një mekanizëm jo vetëm për stabilizimin e parimeve, por edhe për zbatimin efektiv përmes akteve nënligjore,” deklaroi Muçaj.

