Shqipëria me çmime më të larta se BE-ja, Muço: Fatkeqësisht, nga viti në vit prodhimi po tkurret qëllimisht

Të dhënat e fundit të Eurostat, që mat indeksin e çmimeve, i matur sipas barazisë së fuqisë blerëse, për shtetet e Bashkimit Europian dhe vendet kandidate e konfirmojnë rritjen e çmimeve të ushqimeve në Shqipëri.

Për herë të parë që nga viti 2005, kur njësia europiane e statistikave mat të dhënat, indeksi i Çmimeve të Ushqimeve dhe Pijeve jo Alkoolike për Shqipërinë e ka lehtë kaluar nivelin 100% (100.1%), që do të thotë se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë 1% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian, në një kohë që të ardhurat sipas metodës së fuqisë blerëse janë sa 41% e mesatares së BE-së.

Nga viti 2005 deri në 2018-n, çmimet e ushqimeve në Shqipëri ishin mesatarisht sa 68-78% e mesatares së BE-së. Nga 2018-a filloi kërcimi i tyre, teksa në 2023-n, çmimet në Shqipëri ishin mesatarisht vetëm 7% më të lira se mesatarja e BE-së. Ndërsa në 2024-n çmimet u barazuan për herë të parë, madje e tejkaluan lehtë me 1%.

Për të kuptuar më shumë mbi këtë tendencë shqetësuese për xhepat e shqiptarëve në studion e lajmeve në “Ora News” ishte eksperti i Ekonomisë, Klodian Muço.

“Për fat të keq po. Çmimet në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Evropë.

Ndodh që aktualisht rezulton që Shqipëria në raport me nivelin e pagave i bie që afërsisht të ketë çmime 50 për qind më të larta se në Evropë, ku pagat janë 40% më të ulëta se pagat evropiane.

Dhe në këtë pikë kemi arritur për shumë arsye: E para është se nga viti në vit duket se Shqipëria po redukton prodhimin vendas qëllimisht.

Nga viti në vit duket se mbështetja e shtetit për bujqësinë nga viti në vit po tkurret dhe nga viti në vit kemi tkurrje të prodhimeve”, u shpreh ndër të tjera eksperti Klodian Muço.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN E EKONOMISË, KLODIAN MUÇO