Garancia Sovrane 3 mld lekë për bujqësinë, Denaj dhe Malaj takim me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë

Ministri i Financave, Petrit Malaj dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilluan një takim të përbashkët me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Bankave për të diskutuar mbi aspektet teknike të zbatimit të Garancisë së re Sovrane për sektorin e bujqësisë, të miratuar së fundmi nga qeveria shqiptare.

Garancia Sovrane me fond prej 3 miliardë lekësh, ose 30 milionë euro është një instrument i cili do të vihet në shërbim të sektorit privat me qëllim lehtësimin e aksesit në financë për fermerët dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.

Garancia Sovrane, e kombinuar me kredinë e butë të Bankës së Shqipërisë, ul normën e interesit në vetëm 2% dhe mbulon deri në 70% të kolateralit për kredi, deri në 25 milionë lekë për subjekt, duke krijuar lehtësi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që operojnë në prodhim bujqësor, agropërpunim, turizëm rural dhe akuakulturë.

Normat që parashikohen për këtë skemë do të jenë tejet të favorshme dhe me mbulim deri në 70% të principalit të kredisë, shuma e së cilës nuk do të kalojë 25 milionë lekë për secilin prej subjekteve aplikuese.

Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme do të kenë mundësi që këtë Garanci Sovrane ta kombinojnë edhe me produktin e Bankës së Shqipërisë duke përfituar më shumë mundësi dhe një akses më të madh financiar me fokus investimet që rrisin kapacitetin dhe cilësinë prodhuese në agropërpunim, modernizimin e mekanikës bujqësore, agroturizëm, peshkim, akuakulturë etj..

Kjo është Garancia e pestë Sovrane që qeveria shqiptare vë në dispozicion të sipërmarrjeve private, si një mundësi për likuiditet të shtuar, me shtetin si garantues.

Ministria e Financave, ka në fokus të saj forcimin e partneritetit me bankat e nivelit të dytë në dobi të rritjes së aksesit në financë, por edhe ruajtjen e parametrave që garantojnë qëndrueshmërinë e borxhit publik.