Lufta në Lindjen e Mesme/ Analiza: Pse largimi i Ali Khamenein mund të ketë pasoja globale
Qëllimi i Izraelit për të larguar Ajatollah Ali Khamenein nga pushteti madje edhe duke e eliminuar fizikisht dhe për t'i dhënë fund sundimit të Iranit nga klerikët që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 është i mbushur me pasiguri dhe rreziqe. Meqenëse Donald Trump ka paralajmëruar se e dinë se ku fshihet Khamenei, ajo që do të pasojë largimin e tij pas më shumë se tre dekadash e gjysmë në pushtet mund të jetë tmerruese.
Udhëheqësit evropianë, siç raporton Al Arabiya, nuk mund të harrojnë pasojat e pushtimit të Irakut të udhëhequr nga SHBA-të në vitin 2003 dhe ndërhyrjes së NATO-s në Libi në vitin 2011. Ato çuan në largimin e diktatorëve Sadam Husein dhe Muamar Gadafi, por edhe në vite kaosi të përgjakshëm në të dy vendet.
"Gabimi më i madh sot është të kërkojmë ndryshimin e regjimit në Iran me mjete ushtarake, sepse kjo do të çonte në kaos. A beson dikush se ajo që ndodhi në Irak në vitin 2003... ose ajo që ndodhi në Libi në dekadën e mëparshme ishte një ide e mirë? Jo!” tha presidenti francez Emmanuel Macron në fund të samitit të G7 në Kanada.
Analistët thonë se rrëzimi i Khameneit dhe klerikëve të tjerë rrezikon të krijojë një boshllëk që mund të mbushet nga elementë të vijës së ashpër brenda Gardës Revolucionare (IRGC) ose ushtrisë iraniane.
"Sulmet e Izraelit duket se janë më të përqendruara në ndryshimin e regjimit sesa në mospërhapjen e armëve bërthamore. Sigurisht, Izraeli po synon raketat balistike dhe instalimet ushtarake, por po synon gjithashtu udhëheqjen dhe simbolet e regjimit, siç është televizioni iranian. Nëse regjimi bie, shpresa do të jetë për një qeveri liberale dhe demokratike. Megjithatë, ekziston një mundësi e lartë që subjekte të tjera të fuqishme si IRGC-ja të dalin si zëvendësime", thotë Nicole Grajewski, një bashkëpunëtore në Carnegie Endowment.
