“Përparësi është ndalimi i armës bërthamore” Shtëpia e Bardhë: Vendimi për një sulm amerikan ndaj Iranit do të merret brenda dy javësh

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka njoftuar se Donald Trump, ka vendosur që brenda dy javëve të ardhshme do të vendosë nëse SHBA do të ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj Iranit.

Gjatë një konference për shtyp, ajo theksoi se Trump dëshiron t’i japë një mundësi përpjekjeve diplomatike para se të marrë një vendim përfundimtar mbi ndërhyrjen ushtarake.

“Bazuar në faktin se ka një mundësi të konsiderueshme për negociata që mund të ndodhin ose jo me Iranin në të ardhmen e afërt, unë do të marr vendimin tim, nëse do të veprojmë apo jo brenda dy javëve të ardhshme,” u tha në deklaratën e presidentit.

E pyetur mbi mbështetësit e presidentit që shprehin shqetësim për përfshirjen e SHBA-së në një konflikt me Iranin, Leavitt, u përgjigj shkurt: “Të kenë besim tek Presidenti Trump.”

Ajo vlerësoi instinktet e kreut të shtetit, duke theksuar se gjatë mandatit të tij të parë ai “e mbajti botën të sigurt përmes forcës dhe vendosmërisë”.

Leavitt konfirmoi se kontaktet diplomatike me Iranin kanë vijuar, megjithatë nuk dha sqarime mbi arsyet pse presidenti beson ende se ka një “mundësi të konsiderueshme” për negociata me Teheranin.

E pyetur mbi qëndrimin e administratës ndaj një ndërrimi regjimi në Iran, Leavitt u shpreh qartë se prioriteti kryesor i Trump është të ndalojë ndërtimin e një arme bërthamore nga ana e Iranit.

“Presidenti është i përqendruar te siguria kombëtare dhe parandalimi i kërcënimit më të madh të mundshëm, një Iran me armë bërthamore”, tha ajo.