Ministri i Jashtëm gjerman: Evropianët të gatshëm për negociata me Iranin për programin bërthamor

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johan Vandepul, deklaroi se vendet evropiane janë të hapura për të rifilluar negociatat me Iranin lidhur me programin e tij bërthamor. Ai theksoi se ky proces kërkon hapa konkretë dhe të verifikueshëm nga ana e Teheranit.

Në një deklaratë të dhënë të mërkurën, Vandepul u shpreh se “kurrë nuk është vonë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, për sa kohë që palët vijnë me qëllime të sinqerta”. Komentet e tij pasuan një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Aragçi, të zhvilluar së bashku me homologët e tij nga Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme.

Ministri gjerman theksoi se vendet evropiane që ishin pjesë e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, marrëveshje e cila synonte të kufizonte aktivitetet bërthamore të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, mbeten të gatshme për të negociuar një zgjidhje të re apo për të ringjallur marrëveshjen ekzistuese.

Megjithatë, ai paralajmëroi se topi tani është në fushën e Iranit. “Irani duhet të ndërmarrë hapa urgjentë për të ndërtuar besimin dhe të japë sinjale të qarta dhe të verifikueshme se nuk ka për qëllim të zhvillojë armë bërthamore”, tha Vandepul, duke theksuar nevojën për një deklaratë të besueshme nga Teherani në këtë drejtim.