Rriten fatalitetet në Shqipëri, zemra dhe tumoret mbeten “vr*sësit” kryesorë
Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 22.102 vdekje në Shqipëri, duke shënuar një rritje prej 3,8% krahasuar me vitin paraardhës, kur numëroheshin 21.286 humbje jete.
Sipas të dhënave të INSTAT
97% e vdekjeve u shkaktuan nga shkaqe natyrale, një rritje e lehtë prej 0,4 pikë përqindjeje në krahasim me vitin 2023.
1,9% e vdekjeve ishin pasojë e aksidenteve, me një ulje prej 0,5 pikë përqindjeje.
0,9% u regjistruan si vetëvrasje, në rritje nga 0,8% një vit më parë.
0,2% u shkaktuan nga vrasje, duke mbetur në të njëjtat nivele me vitin 2023.
Zemra, shkaktari kryesor i vdekjeve
Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut mbeten shkaku kryesor i vdekshmërisë në vend, duke zënë 52,9% të totalit të vdekjeve. Brenda këtij grupi, sëmundjet kronike të zemrës ishin më të përhapurat (39,1%), të ndjekura nga sëmundjet ishemike të zemrës (23,2%) dhe ato të enëve të trurit (20,6%).
Në vend të dytë renditen simptomat dhe sëmundjet e papërcaktuara mirë (21,5%), ku vdekjet nga pleqëria përbëjnë 70,7% të rasteve.
Ndërkohë, tumoret përbëjnë 15,3% të vdekjeve, ku më të shpeshtat janë ato të aparatit tretës (34,6%), të frymëmarrjes (23,9%) dhe urogjenitale (15,1%).
Sipas analizës gjinore:
Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve për të dyja gjinitë.
Femrat vdesin më shpesh nga simptoma të papërcaktuara mirë, ndërsa tumoret prekin më tepër meshkujt.
Më pak vdekje foshnjore
Një lajm pozitiv vjen nga treguesi i vdekshmërisë foshnjore, i cili ka shënuar një ulje të ndjeshme. Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 110 vdekje foshnjore, nga 144 në vitin 2023. Norma e vdekshmërisë ra në 4,7 për 1.000 lindje të gjalla, nga 6,1 në vitin pararendës.
Vdekshmëria sipas moshës
Tek fëmijët dhe të rinjtë (0–19 vjeç), shkaku kryesor janë sëmundjet në periudhën rreth lindjes (30,8%) dhe ato të aparatit të qarkullimit të gjakut (26,2%).
Për moshën 20–44 vjeç, më të shpeshta janë dëmtimet traumatike dhe helmimet (28,0%) dhe sërish sëmundjet kardiovaskulare (32,7%).
Ndërkohë vetëvrasjet kanë shënuar rritje nga 0.85 në vitin 2023 kanë shkuar në 0.9% për vitin 2024.

