Parada e Trump në Washington shkakton përçarje/ Përplasje me Gardën Kombëtare dhe thirrje kundër politikave të emigracionit

Në disa qytete dhe shtete të Shteteve të Bashkuara janë zhvilluar protesta të gjera kundër Presidentit Donald Trump, të organizuara nga grupi “No Kings” (“Pa Mbretër”), si kundërpërgjigje ndaj paradës së rrallë ushtarake që ai organizoi në Washington DC.

Parada përkoi me ditëlindjen e Trump dhe kishte për qëllim të shënonte 250-vjetorin e themelimit të Ushtrisë Amerikane. Megjithatë, mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kundërshtuar jo vetëm paradën, por edhe politikat e presidentit, veçanërisht ato që lidhen me çështjen e emigracionit.

Protestat kishin nisur më herët në qytete si Los Angeles dhe u përshkallëzuan me tubime masive në New York, Filadelfia dhe Houston. Në Filadelfia, qytetarët u mblodhën në Love Park për të mbrojtur vlerat demokratike. Ndër ta ishte edhe Karen Van Trieste, një infermiere 61-vjeçare, e cila tha se shkurtimet në sektorin e shëndetit publik ishin një ndër arsyet që e kishin nxitur të protestonte.

Situata ishte veçanërisht e tensionuar në Los Angeles, ku autoritetet mbajtën forcat e rendit në gatishmëri për shkak të përplasjeve të mëparshme të dhunshme lidhur me bastisjet për deportim. Pavarësisht kundërshtimit të guvernatorit Gavin Newsom, Presidenti Trump urdhëroi dërgimin e Gardës Kombëtare në qytet, duke shtuar tensionin me autoritetet lokale.

Jose Azetcla, përfaqësues i grupit të të drejtave civile “Brown Berets”, tha për BBC se arsyeja kryesore për të protestuar ishte politika e emigracionit. “Nuk është thjesht e ashpër, është mizore. Familjet nuk duhet të ndahen,” deklaroi ai.

Në disa zona pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të Gardës Kombëtare, përfshirë përdorimin e gazit lotsjellës për të shpërndarë turmat, por protestuesit vazhduan të marshonin paqësisht.

Megjithë protestat masive, sondazhet tregojnë se politikat e Trump-it për emigracionin gëzojnë një nivel të konsiderueshëm mbështetjeje. Një anketë e CBS/YouGov e publikuar javën e kaluar tregoi se 54% e qytetarëve amerikanë mbështesin deportimin e emigrantëve të paligjshëm, ndërsa 46% janë kundër. Ndërkohë, 42% e të anketuarve thanë se këto masa i bëjnë të ndihen më të sigurt

Emri i grupit organizator “No Kings” u zgjodh për të simbolizuar kritikën ndaj asaj që ata e konsiderojnë si abuzim të kompetencave nga ana e Trump-it në mandatin e tij të dytë.

Në paradën ushtarake, Trump përshëndeti mijëra ushtarë, tanke dhe automjete ushtarake që marshuan para tij. Në fjalimin e tij të shkurtër, ai theksoi: “Ushtarët tanë nuk dorëzohen kurrë. Luftojnë, luftojnë, luftojnë. Dhe fitojnë, fitojnë, fitojnë.”

Ndërsa disa politikanë dhe ish-zyrtarë ushtarakë e kritikuan paradën si një shfaqje egoje të kushtueshme me kosto të vlerësuar nga ushtria mes 25 dhe 45 milionë dollarë shumë pjesëmarrës e konsideruan atë si një akt nderimi ndaj forcave të armatosura.

Melvin Graves, një veteran i Luftës së Vietnamit, e cilësoi paradën si një moment për të marrë vlerësimin që nuk e kishte ndjerë kur ishte kthyer nga lufta. “Kjo ka të bëjë me nderimin e këtyre burrave dhe grave që kanë shërbyer,” tha ai.