PD: Magazinerët e Salillarit bëhen si me magji nga Rama, pronarë parqesh fotovoltaike dhe koncensionarësh, SPAK nuk i sheh

Partia Demokratike, përmes zëdhënëses së Antikorrupsionit, Genta Vangjeli, ka denoncuar sot rastin e dhënies së një leje ndërtimi për një park fotovoltaik në Fier, duke e cilësuar si një tjetër “përrallë” me investitorë të krijuar.

Vangjeli deklaroi se kompania “Albania Solar Power” sh.p.k, e regjistruar vetëm 16 muaj më parë me kapital minimal prej 100.000 lekësh, ka marrë miratim nga Këshilli i Ministrave për ndërtimin e një centrali fotovoltaik në Levan të Fierit, me fuqi 82 MW dhe afat operimi 49 vjet.

Sipas Vangjelit, pronari i kësaj kompanie, Engjëll Agalliu, rezulton të ketë qenë më parë mekanik në kompaninë “Salillari” sh.p.k, ndërsa tashmë figuron si investitor në një projekt me vlera milionëshe.

Genta Vangjeli: Në sagën e përrallave 1001 net … me autor Edi Ramën sot do t’ju tregojmë çuditë e radhës ku mekanikë e magazinierë të Pëllumb Salillarit shndërrohen me shkopin magjik të Edi Ramës në investitorë fotovoltaikësh dhe pronarë koncesionesh…

Një javë më parë, Këshilli i Ministrave me anë të vendimit nr.309, miratoi ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, në Levan, Fier, nga shoqëria ‘ALBANIA SOLAR POWER’ sh.p.k, me afat operimi 49 vjet dhe fuqi 82 më, i cili kërkon një investim miliona eurosh.

Ndërkohë ky subjekt është regjistruar vetëm 16 muaj më parë, me një kapital 100.000 lekë, ka administrator dhe pronar Engjëll Agalliu dhe asnjë bilanc të publikuar në QKB. Po si do ta realizojë ky subjekt këtë investim miliona euro, ndërkohë që kapitali të lë për të dëshiruar…

Një gjë është e sigurt, që Engjëll Agalliu ka profesionin e mekanikut për makineri industriale dhe këtë detyrë e ka ushtruar edhe në kompaninë e Pëllumb Salillarit (Salillari shpk).

Ndoshta puthja romantike që vetë kryeministri Rama nuk hezitoi t’i jepte pronarit të Engjëllit, përpara kamerave, solli fat të mirë edhe për vetë Agalliu e kështu Këshilli i Ministrave nxori një VKM ekskluzive vetëm për të.

Gjithashtu, e sigurt është se, përveç vëllait më të vogël të Engjëllit, tek e njëjta kompani, Salillari shpk, punëmarrës ka qenë edhe babai i tyre, Hektor Agalliu, me profesion magazinier, madje aq të suksesshëm kanë qenë punëmarrësit e Salillarit saqë vizioni i babait kapi majat e suksesit duke u shndërruar nga magazinier me pagë modeste, në pronar të subjektit pjesë e koncesionarit për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen e portit të integruar në Triport Vlorë, sipas kontratës koncesionare me të njëjtin objekt të lidhur midis MIE dhe Koncesionarit më 29 Prill 2022, me vlerë të parashikuar të projektit 44.9 milion euro.

Sa mirë kur fati të buzëqesh… Nga rrogëtar shndërrohesh në koncesionar apo dhe investitor i fuqishëm me projekte miliona e miliona euro… Ndoshta fati të ndihmon nëse ke qenë njëherë punëmarrës i Pëllumb Salillarit…. Ndoshta fati të ndihmon kur Edi dhe Pëllumbi si bëhet magjia… Vetëm Spaku nuk e di akoma….