Ukraina dhe Gjermania do të prodhojnë së bashku dronë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi
Ukraina dhe Gjermania po planifikojnë të prodhojnë së bashku raketa kruiz me rreze të gjatë veprimi dhe dronë, thanë sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius pas bisedimeve në Kiev.
Ndërsa Gjermania do të kontribuojë në projekt me fonde, Ukraina do të kontribuojë me ekspertizën e saj teknike të fituar gjatë luftës.
Pistorius njoftoi gjithashtu ndihmën ushtarake gjermane me vlerë 9 miliardë euro (10,4 miliardë dollarë) për vitin 2025. Zelensky tha se projekti i përbashkët bazohej në një besim të veçantë në Gjermani.
“Imazhi i luftës ka ndryshuar,” tha ministri gjerman, i cili mbërriti sot në kryeqytetin ukrainas, në një vizitë të papritur. “Konfliktet moderne, rrotullohen gjithnjë e më shumë rreth luftës elektromagnetike dhe dronëve”, tha Pistorius.
Ai tha se Gjermania ishte e përgatitur të financonte prodhimin e sistemeve të zjarrit me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë – ndërsa sistemet e para pritet të jenë gati, në muajt në vijim.
Qeveria ukrainase vlerësoi se kapaciteti i papërdorur në industrinë e saj të armëve vendase arrin në rreth 30 miliardë euro në vit.
“Po zhvillohen diskutime rreth prodhimit të përbashkët të armëve me rreze të gjatë veprimi, dronëve, teknologjive të raketave ukrainase, raketave kruiz dhe pajisjeve të tjera me rreze të gjatë veprimi”, shtoi ai.
Pistorius dënoi sulmet e fundit ajrore ruse në Ukrainë, të cilat përfshinin një numër të madh raketash dhe dronësh – duke i përshkruar ato si jashtëzakonisht të dhunshme dhe kërcënuese.
Sipas Pistorius, modeli i sulmeve sinjalizon se Moska aktualisht nuk ka interes për një zgjidhje paqësore – dhe në vend të kësaj po vazhdon fushatën e saj me forcë të paepur, duke synuar gjithnjë e më shumë zonat civile.
