BARCELONA ME MISION DIPLOMATIK! Laporta takohet me Ceferin për të ulur ndëshkimin

Presidenti i Barcelonës ka nisur një ofensivë diplomatike për të zbutur sanksionet e UEFA-s ndaj ekipit. Mediet shkruajnë se në biseda janë theksuar balancat ekonomike, që ekipi i cilëson të rregullta por organizata e fundbollit i quan shkelje të Fair Play

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka zhvilluar një vizitë të rëndësishme diplomatike në Mynih, ku fillimisht mori pjesë në finalen e Nations League mes Spanjës dhe Portugalisë, ndeshje ku u aktivizuan gjashtë lojtarë të Barcelonës.

Megjithatë, misioni kryesor i Laportës nuk ishte vetëm sportiv: ai zhvilloi një takim me presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin, për të diskutuar mbi sanksionet e mundshme që kërcënojnë klubin katalanas për parregullsi financiare.

Marca shkruan se Në qendër të kontestit qëndrojnë të ashtuquajturat “balanca” ekonomike të përdorura nga Barça për të gjeneruar të ardhura në mënyrë që të afronte emra si Lewandowski, Koundé dhe Raphinha.

Ndërsa La Liga i ka konsideruar këto të ardhura si të rregullta dhe të vlefshme, UEFA i klasifikon ato si të jashtëzakonshme, çka mund të shkelë rregullat e fair-play financiar.

Laporta është përpjekur të sqarojë këto dallime mes standardeve kontabël të dy institucioneve dhe ka dalë i kënaqur nga takimi, duke shpresuar se sanksioni do të jetë sa më i lehtë.

Por rreziku është real: për shkak se klubi është përsëritës, penalizimi mund të kalojë nga financiar në sportiv, duke përfshirë kufizimin e regjistrimit të lojtarëve në Champions League apo edhe humbje pikësh.

Përveç diplomacisë, Marca shton se Barcelona ka aktivizuar edhe rrugën ligjore, duke dërguar kundërshtime formale mbi akuzat. Klubi katalanas, që dy vite më parë u gjobit me 500 mijë euro, po lufton me çdo mjet për të shmangur një sanksion që mund të dëmtojë rëndë të ardhmen e tij në Evropë.