Tensione në koalicionin gjerman mbi vendimin për azilkërkuesit
Brenda qeverisë së koalicionit të udhëhequr nga konservatorët në Gjermani, po shfaqen tensione mbi migracionin, pasi një vendim gjykate javën e kaluar duket se ndaloi refuzimin e azilkërkuesve në kufijtë e vendit.
Gjykata Administrative e Berlinit vendosi të hënën se refuzimi i tre somalezëve gjatë një kontrolli në kufirin me Poloninë ishte i paligjshëm.
”Vendimi urgjent nënkuptonte se nuk mund të ketë më refuzime të përgjithshme sepse gjykatat do t’i ndalojnë ato”, tha Matthias Miersch, kreu i grupit parlamentar të Social- Demokratëve (SPD), i cili është anëtari më i vogël i koalicionit të kancelarit, Friedrich Merz.
Pa sqarime se cili shtet i BE-së është përgjegjës për kërkesën për azil të të prekurve, ”ata nuk duhet të kthehen mbrapsht”, sipas vendimit.
Gjykata tha gjithashtu se qeverisë i mungonin prova për argumentin e saj se mund të refuzonte azilkërkuesit për shkak të sigurisë publike.
Të tre somalezët tani janë kthyer në Berlin.
Miersch i tha gazetës ”Frankfurter Allgemeine Zeitung” se vendimi i gjykatës ngriti pyetje themelore që qeveria duhet t’i adresojë.
“Kancelari gjithashtu e deklaroi këtë shumë qartë kur tha se praktika duhet të rishikohet përsëri në dritën e këtij vendimi të gjykatës”, tha Miersch.
“Dhe pres që kjo të ndodhë tani”, tha ai duke treguar mundësinë e problemeve të tjera ligjore në të ardhmen e afërt.
Ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt prezantoi kontrollet më intensive kufitare më 7 maj.
Ai e mbrojti përsëri sot këtë politikë, në komentet për grupin mediatik të gazetave ”Funke”.
“Ky është një gjykim individual”, tha Dobrindt, duke iu referuar vendimit të gjykatës.
“Ne do të japim justifikime të mjaftueshme, por Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) duhet të vendosë për këtë”, shtoi ai.
Kryetarja e Gjykatës Administrative të Berlinit, Erna Viktoria Xalter, tha se, megjithatë, kjo nuk do të rezultonte e suksesshme.
Duke folur për portalin e lajmeve ”Zeit Online”, ajo theksoi se “vendimi urgjent është i pakontestueshëm në GJED”.
Merz, i cili i përket Partisë Demokrate të Krishterë (CDU), tha së fundmi se do të vazhdojë të refuzojë azilkërkuesit në kufi edhe pas vendimit të gjykatës administrative

