Ndërprerje masive e internetit në Korenë e Veriut, faqet shtetërore jashtë funksionit për orë të tëra
Korea e Veriut u godit të shtunën nga një ndërprerje e madhe e internetit që zgjati për disa orë, duke shkëputur nga rrjeti faqet zyrtare të qeverisë dhe agjencitë shtetërore të lajmeve. Situata i izoloi plotësisht institucionet shtetërore nga hapësira kibernetike ndërkombëtare.
Shkaku nuk është bërë ende i ditur, por ekspertët që monitorojnë infrastrukturën digjitale të vendit sugjerojnë se ajo mund të ketë qenë një problem i brendshëm dhe jo një sulm kibernetik. Kjo për shkak se lidhjet e internetit të Koresë së Veriut përmes Kinës dhe Rusisë rezultuan gjithashtu të pamundura.
Ndër faqet e goditura ishin ato të Ministrisë së Jashtme, linjës ajrore kombëtare Air Koryo dhe agjencive zyrtare të lajmeve. Ato nisën të rikthehen pjesërisht në funksion rreth mesditës, sipas vëzhgimeve të agjencisë Reuters.
Eksperët shprehen se Korea e Veriut ka një nga sistemet më të kontrolluara të internetit në botë, ndaj ata shtojnë se mundësitë që bllokimi të jetë krijuar nga faktorë të jashtëm është thuajse zero. Popullsia e përgjithshme ka qasje vetëm në një intranet të brendshëm të krijuar nga shteti, ndërsa qasja në internetin global u lejohet vetëm disa zyrtarëve të lartë dhe institucioneve qeveritare që shërbejnë për propagandë jashtë vendit.
Në të kaluarën, Korea e Veriut ka përjetuar ndërprerje të mëdha të internetit, për të cilat është dyshuar se ishin rezultat i sulmeve kibernetike. Vetë shteti operon njësi elitare hakerësh si grupi “Lazarus”, i akuzuar për sulme kundër institucioneve të huaja dhe për vjedhje e pastrim të kriptomonedhave.
