Problemi me 'gjuhën e alienëve' që i hutoi matematikanët për dekada mund të jetë afër zgjidhjes

Imagjinoni këtë skenar: shkencëtarët kanë kapur një transmetim nga një racë aliene.

Është e qartë që mesazhi vjen nga një qenie inteligjente, por gjithçka në të, sintaksa, gramatika, konteksti, është e pakuptueshme për ne tokësorët.

Kështu ndihen shumica e matematikanëve për Teorinë Interuniversale të Teichmüller-it (IUT), një provë e propozuar nga matematikani Shinichi Mochizuki më shumë se dhjetë vite më parë, si përpjekje për të zgjidhur të ashtuquajturën hipoteza ABC, një nga problemet më të njohura të pazgjidhura në teorinë e numrave, që lidhet me shumën e numrave prim dhe ka pasoja për shumë konjektura të tjera.

IUT ka aq pak ngjashmëri me degët e tjera të matematikës saqë është quajtur "gjuha e alienëve".

Vetëm rreth 20 njerëz në botë kanë arritur ta kuptojnë disi. Por tani, një inxhinier 28-vjeçar me emrin Zhou Zhongpeng ka bërë përparime të dukshme në zbulimin e misterit të IUT-së.

Mochizuki e zhvilloi IUT-në në fillim të viteve 2000 dhe e publikoi në katër boca në vitin 2012. Prova është mbi 2000 faqe e gjatë dhe Mochizuki pretendon se ofron një zgjidhje për hipotezën ABC.

Nëse provohet, kjo hipotezë mund të ndihmojë në qartësimin e enigmave të tjera të mëdha matematike, si Teorema e Fundit e Fermat-it, një teoremë gati 400-vjeçare që thotë se nuk ekzistojnë tri numra të plotë pozitivë a, b dhe c që plotësojnë barazimin aⁿ + bⁿ = cⁿ për asnjë vlerë të n më të madhe se 2.

Kjo teoremë u zgjidh për herë të parë nga matematikani Andrew Wiles në vitin 1995, por kuadri i ri i Zhout mund ta provojë atë me shumë më pak hapa.

Megjithatë, IUT përdor koncepte dhe simbole që janë tërësisht unike në botën e matematikës. Me fjalë të tjera, Mochizuki krijoi në thelb një gjuhë të re matematikore, dhe kjo i hutoi edhe matematikanët më të zotë të botës.

Disa guximtarë, përfshirë matematikani Ivan Fesenko, kanë studiuar pjesë të saj dhe i kanë dhënë njëfarë mbështetje pretendimeve të Mochizuki-t.

Megjithatë, edhe pse ekziston prej më shumë se një dekade, IUT nuk është verifikuar ende plotësisht përmes rishikimit shkencor, sepse është jashtëzakonisht e vështirë për t'u kuptuar.

Këtu hyn Zhou. Ai ka një formim në matematikë, pasi ka studiuar teorinë e grafëve si doktorant, por përfundimisht e ndërpreu doktoraturën për të punuar si inxhinier softuerësh.

Por kjo nuk ia zbehu pasionin për matematikën e pastër. Zhou u fiksua pas IUT-së, duke e studiuar në kohën e lirë pavarësisht orarit të ngarkuar të punës.

Gjatë pesë muajve, ai përpiloi disa përmirësime dhe zbatime të reja në një punim që ia dërgoi si Mochizuki-t, ashtu edhe Fesenko-s.

Nëse është i saktë, ky punim provon shumicën e rasteve të versionit të përgjithësuar të Teoremës së Fermat-it, duke përdorur parimet e IUT-së.

Matematikanët mbetën të impresionuar; Fesenko madje i ofroi Zhout të udhëtonte drejt Westlake University në Kinë, ku ai punon. Zhou e pranoi ftesën dhe aktualisht po punon nën kujdesin e Fesenkos për të thelluar më tej provën.

Kjo punë ka potencial për shumë aplikime të mundshme, nga kriptografia dhe kompjutimi kuantik deri te një kuptim më i mirë i hapësirë-kohës, por vetëm nëse ajo bëhet e kuptueshme për studiuesit e tjerë.

Dhe pjesë të IUT-së vazhdojnë të mbeten të padepërtueshme. Ka shumë të ngjarë që do të duhen vite para se dikush ta zbërthejë plotësisht, nëse kjo ndodh ndonjëherë.

"Punimet e mia mbështeten në kërkimet e paraardhësve; unë kam bërë vetëm disa risi të vogla dhe eksplorime, dhe shpresoj të kontribuoj modestisht në këtë fushë," shkroi Zhou në një postim në rrjetet sociale.