Operacion ndërkombëtar kundër ab*zimit të fëmijëve, arrestohen 20 persona, mes tyre dy mësues

Organizata globale policore Interpol thotë se 20 persona janë arrestuar si pjesë e një operacioni të madh ndërkombëtar, kundër prodhimit dhe shpërndarjes së materialeve me abuzim seksual ndaj fëmijëve.

Arrestimet u kryen midis marsit dhe majit në një operacion që u përfshi në 12 vende. Ai u drejtua nga Policia Kombëtare Spanjolle në bashkëpunim me Interpolin dhe Europolin.

“Operacioni u iniciua nga Spanja në fund të vitit 2024, kur oficerë të specializuar kryen patrullime online dhe identifikuan grupe mesazhesh të dedikuara për qarkullimin e imazheve të shfrytëzimit seksual të fëmijëve”, tha Interpoli në një deklaratë.

Përmes Interpolit dhe Europolit, oficerët spanjollë njoftuan autoritetet në vendet ku banonin autorët e dyshuar.

Autoritetet spanjolle arrestuan shtatë të dyshuar, përfshirë një punonjës të kujdesit shëndetësor dhe një mësues.

“Punonjësi i kujdesit shëndetësor dyshohet se i ka paguar të miturit nga Evropa Lindore për imazhe eksplicite, ndërsa mësuesi akuzohet për posedim dhe ndarjen e materialeve të abuzimit seksual me fëmijë nëpërmjet platformave të ndryshme online”, tha Interpoli.

Në Spanjë, kontrollet e kryera nga policia rezultuan në sekuestrimin e kompjuterëve desktop, laptopëve, telefonave celularë, tabletave dhe pajisjeve të ruajtjes digjitale.

Autoritetet në shtatë vende të Amerikës Latine arrestuan 10 të dyshuar, përfshirë një mësues në Panama.

Arrestimet e mbetura u kryen në SHBA dhe pjesë të tjera të Evropës.

“Bullgaria, Italia dhe Portugalia morën pjesë në nivel evropian”, tha një zëdhënës i Interpolit për Euronews.

Deri më tani, janë identifikuar 68 të dyshuar të tjerë dhe hetime të mëtejshme janë duke u zhvilluar në nivel global, sipas Interpolit.

“Informacioni i mbledhur gjatë operacionit është ndarë me autoritetet e zbatimit të ligjit në 28 vende në Amerikë, Evropë, Azi dhe Oqeani”, shtoi Interpoli.

Arrestimeve iu paraprinë bisedimet midis Interpolit dhe hetuesve spanjollë në Kili në takimin e Task Forcës për Identifikimin e Viktimave në Amerikën Latine. Operacioni iu prezantua atje oficerëve të specializuar nga e gjithë Amerika Latine.

Autoritetet shkëmbyen informacione mbi rastet, dhanë pista konkrete dhe nisën veprime të koordinuara./ Euronews.