Manush Kullolli nuk njeh ligj! “Kyç gojën” për 8 kompanitë që shitën qumësht me aflatoksinë. Komisioneri e paralajmëron me gjobë

Nga muaji janar deri në prill 2025 qytetarët shqiptarë kanë konsumuar qumësht me aflatoksinë.

Sipas OBSH-së aflatoksina është kancerogjene e grupit 1, rrit rrezikun për probleme në mëlçi dhe veshka.

Kanë qenë mostra qumështi rastësore të marra në dyqane dhe fabrika, të cilat pas analizave nga ISUV, kanë rezultuar me  prani tej normave të lejuara të Aflatoksinës M1.

Burime për “Ora News” bëjnë me dije se janë 8 subjekte të cilat kanë tregtuar qumështin që i ka rrezikuar jetën qytetarëve.

Në vijim të investigimit lidhur me këtë skandal ushqimor “Ora News” i ka kërkuar në mënyrë të përsëritur informacion AKU-t se cilat janë emrat e kompanive që kanë tregtuar qumësht me aflatoksinë?

Edhe pse e ka detyrim ligjor transparencën, drejtori i AKU-t, Manush Kullolli “kyç gojën” dhe nuk i kthen përgjigje kërkesave për informacion.

Pas referimit të kësaj situate te Komisioneri për të Drejtën e Informimit, ky institucion i bën me dije drejtuesit të AKU se mosdhënia e informacionit konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 50.000 deri ne 300.000 lekë.

As paralajmërimi për gjoba dhe as dy afatet për kthim përgjigjeje në 7 dhe 22 Maj nuk e ndërgjegjësuan z. Kullolli që të bëjë transparencë.

Ligji e detyron drejtorin e AKU-t, që paguhet me taksat e qytetarëve që të informojë median dhe konsumatorin, por me sa duket z. Kullolli e sheh veten mbi ligjin.

Në ketë rast drejtuesi i institucionit mban në sirtar informacionin që duhet ta bëjë publik.

Teksa investigimi i televizionit “Ora News” mbi këtë çështje vijon kemi disa pyetje publike për drejtuesin e AKU:

Sa ka qenë sasia totale qumështit me aflatoksinë që u konstatua nga AKU?

Sa u shit?

Sa u bllokua?

Sa është sasia e asgjësuar?

Subjektet prodhuese të qumështit me aflatoksinë e kanë shpërndarë në kopshte dhe në çerdhe?

Skandali i tregtimit të qumështit me aflatoksinë është publikuar fillimisht nga televizioni “Ora News” në prill 2025. Më pas ky  fakt është pranuar zyrtarisht edhe nga AKU.