RUSIA “KËRCËNON” SERBINË! Moska “mesazh”: Beogradi e di rrezikun nëse armët bien në “duar të gabuara”

Rusia dërgoi mesazhe të ashpra Serbisë, duke e paralajmëruar të mos furnizojë më Ukrainën me armë përmes rrugëve të ndërmjetme. Moska e quajti këtë një tradhti nga një aleat dhe kërkoi masa konkrete për të ndalur kontratat e dyshimta ushtarake.

Rusia kërcënoi sërish Serbinë, për dërgimin e armatimeve në ndihmë të Ukrainës!

Mesazhi i Moskës për Beogradin ishte i qartë dhe aspak diplomatik, edhe pse detyra për ta përcuar i ishte dhënë zëdhënëses së ministrisë së jashtme Maria Zakharova

“Ne besojmë se Serbia është e vetëdijshme për rrezikun e dërgesave të armëve që bien në duart e regjimit të Kievit”, tha zyrtarja ruse në një konferencë.

Kërkesa e Rusisë për Serbinë është direkt: të Mos bëjë me atë që Moska e cilëson gabim e të dërgojë armë në Ukrainë.

“Jemi të bindur se Serbia do të marrë masa efektive që do të na lejojnë të identifikojmë dhe ndërpresim kontratat e dyshimta të eksportit të huaj - dhe të parandalojmë dërgimin e mallrave të ndjeshme ushtarake në adresa të papërshtatshme”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse

Ajo tha se Kremlini është në dijeni të deklaratës së Presidentit serb Aleksandar Vuçiç se ai do të nisë një auditim të bashkëpunimit ushtarako-teknik me partnerët e huaj me qëllim “identifikimin e atyre që i cilësoi mashtrime me certifikatat e përdoruesit fundor”.

“Shpresojmë që të merren masa efektive në mënyrë që të mos bjerë hije mbi marrëdhëniet e mira midis Rusisë dhe Serbisë” shtoi Ajo.

Rusia ka akuzuar Serbinë për furnizimin e fshehtë të Ukrainës me armë dhe municione, duke e cilësuar këtë si një "thikë pas shpine" nga një aleat tradicional.

Sipas Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), kompanitë serbe të mbrojtjes kanë dërguar qindra mijëra predha dhe miliona fishekë në Ukrainë përmes ndërmjetësve në vende të NATO-s si Çekia, Polonia dhe Bullgaria, si dhe përmes disa vendeve afrikane, duke përdorur certifikata të rreme të përdoruesit përfundimtar.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka mohuar çdo përfshirje direkte të qeverisë në këto dërgesa, dhe njoftoi krijimin e një grupi pune të përbashkët me Rusinë për të hetuar këto pretendime.

Tensionet mes dy vendeve janë rritur në një kohë kur Serbia përpiqet të balancojë marrëdhëniet me Rusinë dhe aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Analistët vërejnë se kjo situatë e vështirëson më tej pozicionin e Beogradit në skenën ndërkombëtare.