MISTERI I ZHDUKJES SË 3-VJEÇARES! Policia portugeze nis kërkime të reja për Madeleine Mccann

Policia portugeze ka rinisur kërkimet për Madeleine Mccann aty ku në vitin 2007 ishte vetëm tre vjeç kur u zhduk. Në një deklaratë, policia tha se po ekzekutonte një urdhër hetimi evropian me shpresën për zbardhjen e së vërtetës për fatin e saj.

Policia portugeze ka rinisur kërkimet për zbardhjen e një prej zhdukjeve më të diskutueshme në historinë moderne të Evropës atë të Madeleine Mccann, e cila ishte vetëm tre vjeç kur humbi gjurmët në mënyrë misterioze në vitin 2007 një vendpushim turistik në Algarve në vendin iberik.

Kërkimet aktuale janë duke u kryer në Bashkinë e Lagosit dhe do të zgjasin deri më 6 qershor, sipas një urdhri hetimi evropian të lëshuar nga autoritetet gjermane.

Në një deklaratë zyrtare, policia portugeze sqaroi se po bashkëpunon ngushtësisht me Zyrën e Prokurorit Publik në Braunschweig të Gjermanisë, e cila në vitin 2022 identifikoi Christian Brueckner si të dyshuarin kryesor në lidhje me zhdukjen e vajzës britanike.

Brueckner, një shtetas gjerman me të kaluar kriminale të rëndë, është aktualisht në burg në Gjermani, duke vuajtur dënimin për përdhunimin e një gruaje 72-vjeçare një krim i kryer në të njëjtën zonë ku Madeleine u zhduk.

MISTERI I ZHDUKJES SË 3-VJEÇARES! Policia portugeze nis kërkime

Hetimet e reja përfshijnë kontrolle të zgjeruara në një rezervuar të njohur si Arade Dam, i cili ndodhet rreth 50 kilometra nga vendi ku u zhduk Madeleine.

Ky vend besohet të ketë qenë një nga zonat që Brueckner frekuentonte shpesh gjatë qëndrimit të tij në Algarve. Policia është parë duke përdorur pajisje të sofistikuara për kërkime nënujore dhe makineri për skanimin e tokës.

Provat e sekuestruara gjatë këtij operacioni do t’i dorëzohen Zyrës Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA), ndërsa Policia Metropolitane e Londrës, e cila ka udhëhequr hetimet britanike për më shumë se një dekadë, konfirmoi se është në dijeni të operacionit dhe është e gatshme të mbështesë kolegët ndërkombëtarë nëse është e nevojshme.

Brueckner ka mohuar çdo përfshirje në zhdukjen e Madeleine Mccann, por hetuesit gjermanë thonë se kanë "prova të rëndësishme" që e lidhin atë me rastin ndonëse ende nuk janë paraqitur në gjykatë.

MISTERI I ZHDUKJES SË 3-VJEÇARES! Policia portugeze nis kërkime

Familja Mccann nuk ka dhënë komente të drejtpërdrejta për zhvillimet e fundit, por më parë ka theksuar se do të vazhdojë të shpresojë për zbardhjen e së vërtetës.

Rihapja e hetimeve është një përpjekje e koordinuar mes autoriteteve të Portugalisë, Gjermanisë dhe Britanisë, duke mbajtur gjallë shpresën se pas gati dy dekadash, misteri i zhdukjes së Madeleine Mccann mund të marrë më në fund një përgjigje përfundimtare.