ABRAMOVIÇ NË GJYQ PËR SHITJEN E CHELSEAT! Qeveria Britanike kërkon që fondet të kalojnë për Ukrainën

Lufta në Ukrainë ka përfshirë dhe të ardhurat nga futbolli. Qeveria britanike po përgatitet të padisë Roman Abramoviç për shitjen e aksioneve të Çelsit. Në lojë janë 2.5 miliardë paund që synohet të shkojnë në ndihmë të Kievit

Qeveria britanike ka paralajmëruar se është e gatshme të padisë ish-pronarin e Chelsea-t, Roman Abramovich, në përpjekje për të siguruar që 2.5 miliardë paundët nga shitja e klubit të përfundojnë në ndihmë humanitare për Ukrainën.

Këto fonde janë bllokuar që nga viti 2022 në një llogari bankare në Mbretërinë e Bashkuar, pasi Abramovich u sanksionua për lidhjet e tij të dyshuara me presidentin rus Vladimir Putin, pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

BBC shkruan se në një deklaratë të përbashkët, ministrja e Financave Rachel Reeves dhe Sekretari i Jashtëm David Lammy thanë: “Dera për negociata mbetet e hapur, por jemi plotësisht të përgatitur ta ndjekim çështjen edhe në rrugë gjyqësore nëse është e nevojshme.” Ata theksuan se qëllimi është që njerëzit që vuajnë në Ukrainë të përfitojnë nga këto fonde sa më shpejt.

Përplasja mes qeverisë britanike dhe përfaqësuesve ligjorë të Abramovich lidhet me destinacionin e saktë të këtyre fondeve. Abramovich ka deklaruar se dëshiron që paratë të përdoren për të ndihmuar “të gjitha viktimat e luftës në Ukrainë”, përfshirë edhe ato në Rusi – një propozim që Londra e kundërshton ashpër, duke insistuar që fondet të shkojnë vetëm për qëllime humanitare brenda Ukrainës.

Edhe pse Abramovich nuk mund të përfitojë nga paratë për shkak të sanksioneve, ato mbeten ligjërisht pronë e tij. Ai ishte lejuar të shiste klubin në 2022 vetëm pasi kishte marrë një licencë të veçantë që garantonte se nuk do të përfitonte financiarisht nga shitja.