NGA FESTA NË BURG! 640 të arrestuar dënime me gjobë, por dhe burg për vrasje e grabitje në rrugët e Parisit
Dhuna gjatë festimit të fitores së Champions u shoqërua me të paktën 640 të arrestuar. Në pjesën më të madhe gjykatat kanë dhënë dënime me kusht dhe gjoba, ndërsa hetim penal është hapur për vdekjen e dy të rinjve dhe grabitjet në biznese
Pas trazirave që shpërthyen në Paris dhe qytete të tjera franceze pas fitores së Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve, autoritetet gjyqësore kanë nisur një sërë procedurash të përshpejtuara për rreth 640 të arrestuar.
Të hënën u dhanë dënimet e para me kusht për disa nga të ndaluarit, ndërsa këtë të martën, 62 persona të tjerë dolën përpara magjistratëve, ka njoftuar Prokuroria e Parisit.
Tre të rinj të moshës 20–22 vjeç u dënuan me 2 deri në 8 muaj burg me kusht për dhunë ndaj efektivëve të policisë dhe për mbajtje mjetesh zjarrvënëse.
Të gjithë do të paguajnë edhe nga 500 euro gjobë secili. Prokuroria ka paralajmëruar se mund të hapë një hetim penal për grabitje me thyerje në grup ndaj dyqaneve “Foot Locker” dhe “Marionnaud”, të dëmtuara rëndë gjatë trazirave.
Nga rreth 300 persona të ndaluar, 91 janë liruar pa akuza, 23 do të paguajnë gjoba për posedim fishekzjarresh, 27 do të ndëshkohen me urdhër penal për sjellje të dhunshme ndaj autoriteteve ose mbajtje armësh, ndërsa 7 raste janë ende në hetim.
Përveç të rriturve, edhe 14 të mitur do të përballen me drejtësinë në Paris, ndërsa shumë të tjerë po hetohen nga gjykata të ndryshme në Francë.
Tragjikisht, gjatë natës së trazirave, një 17-vjeçar u vra me thikë në Dax dhe një tjetër i ri u vra në Paris pas një aksidenti me motor.
Në mes të debateve për sigurinë, Ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin, kritikoi ashpër dënimet me kusht, duke kërkuar një reformë të thellë të ligjit penal.

