ZGJEDHJET NË POLONI/ Balotazh presidencial mes një proevropiani dhe një nacionalisti konservator

Të paktën 29 milionë votues polakë do të zgjedhin sot një president të ri në garën kokë më kokë mes kryetarit liberal të bashkisë së Varshavës, Rafał Trzaskowski dhe konservatorit nacionalist Karol Nawrocki.

Me qendrat e votimit që do të qëndrojnë të hapura deri në orën 21:00 (19:00 GMT), nuk pritet të shpallet asnjë pasardhës i presidentit aktual, Andrzej Duda deri të hënën.

Marzhi i gabimit të sondazheve paszgjedhore është më i madh se hendeku shumë i vogël i parë midis kandidatëve para balotazhit, i cili vjen pas raundit të parë të votimit më 18 maj.

Një sondazh i porositur nga portali ”Onet” tregon se Trzaskowski kryeson me 50,1% të votave, shumë pak përpara Nawrockit me 49,9%.

Një tjetër i porositur nga faqja e internetit ”Wirtualna Polska” e vendosi Nawrockin në krye me 50,63% dhe Trzaskowskin me 49.37%.

Polonia, shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s, është thellësisht e ndarë politikisht dhe rezultati i votimit do të ndikojë në mënyrë vendimtare në të ardhmen e saj – si në nivel lokal ashtu edhe ndërkombëtar.

Një fitore për Trzaskowski proevropian, i cili i përket ”Koalicionit Qytetar” të kryeministrit Donald Tusk, do t’i lejonte Tuskut të ecë përpara me axhendën e tij reformiste.

Ndërkohë, Nawrocki vjen nga partia nacionaliste konservatore ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS), ashtu si Duda në detyrë, i cili ka bllokuar shumë nga projektet legjislative të qeverisë me të drejtën e tij të vetos.

Gjatë kohës së saj në qeveri, PiS ishte në konflikt me Brukselin për reformën e saj gjyqësore.

Ajo gjithashtu dëmtoi marrëdhëniet me Berlinin duke kërkuar triliona euro dëmshpërblime të Luftës së Dytë Botërore.

Në Poloni, presidenti ka një mandat pesëvjeçar dhe ka kompetenca të gjera, përfshirë përfaqësimin e vendit, formësimin e politikës së jashtme, emërimin e kryeministrit dhe të kabinetit dhe shërbimin si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura në rast lufte./ATSH-DPA