Presidencialet koreano-jugore sulmohen nga një ”flotë” dezinformimi
Një foto e kandidatit kryesor të zgjedhjeve në Korenë e Jugut duke u përulur para një statuje të Maos apo të tjerë që pretendojnë se Donald Trump mbështet kampin konservator.
Në Korenë e Jugut, fushata zgjedhore është shënuar nga një përmbytje dezinformimi.
Koreja e Jugut po përgatitet të emërojë pasardhësin e Yoon Suk Yeol më 3 qershor, pasi ai u rrëzua pas përpjekjes së tij të dështuar për të vendosur ligjin e luftës dhe fushata që i parapriu këtyre zgjedhjeve është shënuar nga një sasi e konsiderueshme dezinformimi.
– Çfarë thonë ato? –
Shumë shembuj të dezinformimit kanë të bëjnë me ndërhyrjen e huaj, gjoja nga Kina ose Shtetet e Bashkuara.
Një nga pjesët kryesore të dezinformimit që qarkullojnë në internet sugjeron se sistemi i regjistrimit të votuesve jashtë vendit ka të meta që mund të shfrytëzohen nga shtetasit kinezë për të hedhur fletë votimi mashtruese.
“Edhe të huajt mund të votojnë për sa kohë që kanë një adresë emaili!” shkruhej në një mesazh të shpërndarë gjerësisht.
– Kush është objektivi? –
Kandidati i opozitës dhe kandidati kryesor presidencial Lee Jae-myung është një objektiv i përsëritur i dezinformimit.
Shumë pretendime përqendrohen në besnikërinë e tij të supozuar ndaj Pekinit – duke ushqyer një narrativë që tashmë ekziston midis konservatorëve se kandidatët progresivë janë pro Pekinit ose madje të kontrolluar nga Kina.
Fotografitë tregojnë Lee duke u përulur para një statuje të Mao Ce Dunit dhe duke mbajtur një maskë me flamurin kinez.
”Ky trend tregon se votuesit tani janë më pak të shqetësuar nga lajmet e rreme që pretendojnë se zbulojnë lidhjet e figurave politike me Korenë e Veriut”, shpjegon Choi Jin-bong, një profesor i komunikimit në universitetin ”Sungkonghoe” në Seul.
“Tani është pretendimi se progresivët janë të nënshtruar ndaj Kinës që gjen jehonë, veçanërisht në kontekstin e përshkallëzimit të tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës”, thekson ai.
“Edhe kur ato janë të rreme, këto teori mbeten politikisht të dobishme për konservatorët, të cilët i shohin ato si një përpjekje të fundit për të parandaluar atë që duket si një fitore e pashmangshme për Lee”, shton profesori.
– Po kandidati konservator? –
Dezinformimi që synon kampin konservator në Korenë e Jugut përqendrohet më shumë në lidhjet e tij me Shtetet e Bashkuara.
Për shembull, pamjet e manipuluara pretendonin se presidenti i SHBA-së Donald Trump kishte mbështetur ish-kryeministrin Han Duck-soo të Partisë së Pushtetit Popullor (PPP) kur njoftoi kandidaturën e tij, e cila që atëherë është zëvendësuar nga ajo e Kim Moon-soo.
Një YouTuber i njohur i krahut të djathtë gjithashtu pretendoi në mënyrë të rreme para 1,5 milion abonentëve të tij se Pentagoni kishte mbështetur kandidatin aktual të PPP-së, Kim Moon-soo.
Forcat ushtarake amerikane të stacionuara në Korenë e Jugut thanë se kjo ishte “plotësisht e rreme”.
”Edhe nëse janë të rreme, këto pretendime mbeten bindëse”, tha Lee Jun-han, një profesor i politikës në universitetin kombëtar ”Incheon”.
– Video e manipuluar nga IA –
Në prill, një montazh video tregoi Lee duke i dhënë fund grevës së urisë – të cilën e kishte filluar në vitin 2023 për të protestuar mbi politikat e presidentit Yoon – dhe duke bërë shaka për ngrënien e pulës së skuqur.
Kjo deepfake, e shpërndarë gjerësisht në hapësirat online të krahut të djathtë, u gjenerua nga IA nga një foto e vërtetë e Lee në një shtrat spitali.
AFP identifikoi shenja të shumta që tregojnë se videoja ishte manipuluar nga IA, duke përfshirë zhdukjen e pamjeve të vendosura, pjesë të trupit të shtrembëruara dhe një mjedis jokonsistues.
Videoja ishte e rreme, por ushqeu narrativën paraekzistuese se greva e urisë e Lee ishte thjesht teatrale.
“Dezinformimi i nxitur nga IA përbën një kërcënim serioz për demokracinë duke i penguar votuesit të kenë akses në informacion të besueshëm”, tha Song Kyeong-jae, një ekspert i demokracisë dhe teknologjisë në universitetin ”Sangji”.
– Shifra të falsifikuara –
Lajme të tjera të rreme kanë manipuluar sondazhet parazgjedhore, të cilat përgjithësisht e tregojnë Lee në krye.
Një grafik viral, i ndarë disa ditë para fillimit të votimit të parakohshëm, pretendonte në mënyrë të rreme se Kim po kryesonte në sondazhet e fundit.
Në realitet, këto shifra janë nga janari dhe shkurti dhe burimi origjinal përmend qartë datat e sondazheve.
Këto shifra u fshinë qëllimisht për të mashtruar përdoruesit e internetit që të besonin se ishin rezultate të fundit./ATSH-AFP


