Shefja e UNMIK-ut viziton Mitrovicën
Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefja e Misionit të UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, vizitoi dje Mitrovicën, ku u takua me drejtues të institucioneve lokale dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ziadeh vizitoi administratën e Spitalit të Mitrovicës së Veriut, kryetarin e Kryqit të Kuq, drejtues shkollash, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të grave.
Në takime u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike, sigurisë dhe ekonomike në rajon. Bashkëbiseduesit shprehën shqetësimet e tyre lidhur me ndikimin e këtyre zhvillimeve në jetën e përditshme dhe mirëqenien e komunitetit lokal, raporton KosovaPress.
Ziadeh rikonfirmoi përkushtimin e UNMIK-ut për ndërtimin e besimit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e sundimit të ligjit për të gjithë qytetarët pa dallim. /KosovaPress/
