30 maj mbyllen aplikimet për fondet në bujqësi, mbi 66 000 fermerë të interesuar
Afati përfundimtar për fermerët që duan të përfitojnë nga fondet në bujqësi është sot data 30 maj, deri në mesnatë, duke qenë se aplikimet bëhen online përmes e-Albania.
Përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025, qeveria ka vënë në dispozicion të fermerëve subvencione për 8 masa që do të financohen, ku përfshihet mbështetja për tufën bazë të matrikuluar/ lopë/ dele dhe dhi; mbarështimi i bletarisë; mbështetje për fara/fidanë dhe impute të tjera; mbështetje për kultivimin e bimëve aromatiko-mjekësore; mbështetje për fermat organike; certifikimi Global GAP; si dhe mbështetje me naftë për punime të mekanizuara në bujqësi.
Aplikimet e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi janë hapur më 14 Prill dhe sipas të dhënave të AZHBR deri më 29 Maj, regjistrohen mbi 66 mijë aplikime, ku interes me të lartë ka patur për mbështetjen me naftë me mbi 50 mijë aplikime nga ana e fermerëve.
Sa i takon shpërndarjes gjeografike, edhe këtë vit numri më i lartë i aplikimeve është në qarqet ku bujqësia dhe blegtoria është më e zhvilluar, si Fier, Korçë, Berat dhe Elbasan.
Fondet e vëna në dispozicion për fermerët nga ana tjetër kanë rritur ndjeshëm edhe formalizmin në bujqësi, pasi kushti kryesor për të përfituar është pasja e një NIPT aktiv. Si rezultat, këtë vit janë mbi 5,200 fermerë të cilët janë pajisur rishtazi me një NIPT në tatime.
