Uniformat ushtarake, firmoset marrëveshja! Kompania do të marrë 20 mijë m², “KAYO” do të punësojë 400 persona
Këshilli i Ministrave ka miratuar kushtet e negociimit të shoqërisë shtetërore “Kayo”, sh.a., me shoqëri private për prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve.
Sipas vendimit, shoqëria “KAYO”, sh.a., do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 40 % të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.
Shoqëria shtetërore do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m², që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
Vendimi i qeverisë përcakton se shoqëria tjetër private për një investim minimal prej 15 milionë euro brenda një periudhe 3-vjeçare, si dhe të sigurojë punësimin e të paktën 400 punonjësve dhe ofrimin e linjave moderne të prodhimit.
Ofrimi i linjave teknologjike të prodhimit të uniformave dhe aksesorëve të tjerë, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë dhe sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve në rast eksporti, janë të tjera kushte
Qeveria përcakton se KAYO duhet të ketë të drejtën emërimit të administratorit të shoqërisë së re, sikurse të paktën 30% të anëtarëve të këshillit drejtues ose mbikëqyrës dhe të drejtën e vetos në vendimmarrjet kyçe
Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës së shoqërisë që do të prodhojë uniformat ushtarake dhe pajisje të tjera përcaktohet se do të sigurohet nga Forcat e Armatosura.
Shoqëria e re do të autorizohet të furnizojë Forcat e Armatosura me uniforma dhe pajisje përkatëse
Qeveria shqiptare ka shpallur plane për rinovimin dhe forcimin e industrisë ushtarake të vendit, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm për sigurimin e mbrojtjes kombëtare dhe rritjen e mundësive për krijimin e vendeve të reja të punës.

