Miratohen 17 projekte nga Komiteti i Monitorimit të Programit Interreg Greqi–Shqipëri

Në qytetin e Korçës u zhvillua takimi i tretë i Komitetit të Monitorimit, në kuadër të Programit “Interreg VI-A Greqi–Shqipëri 2021–2027”, me pjesëmarrjen e anëtarëve të Komitetit, përfaqësuesve të autoritetit menaxhues, Sekretariatit të Përbashkët dhe Agjencisë Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës.

Gjatë fjalës së saj, drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë, Eridana Çano, theksoi rëndësinë e angazhimit dhe përgjegjësinë e secilit anëtar në procesin e përzgjedhjes së projektpropozimeve, në përputhje me objektivat e programit dhe prioritetet zhvillimore të qeverisë shqiptare.

Thirrja e parë për propozime, me një buxhet total prej 17 milionë eurosh, shënoi një interes të jashtëzakonshëm, duke tejkaluar mbi dhjetëfish fondin e planifikuar, çka reflekton gatishmërinë dhe energjinë e partnerëve nga të dy anët e kufirit për të bashkëpunuar në projekte të përbashkëta.

Takimi u përmbyll me miratimin e 17 projektpropozimeve, të cilat u dakordësuan në unanimitet nga të gjithë anëtarët e Komitetit të Monitorimit.

Ky proces përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkufitar, zhvillimit të qëndrueshëm rajonal dhe rritjes së ndikimit pozitiv të fondeve të Bashkimit Evropian në nivel lokal dhe kombëtar.