Napoli – Conte, telenovela vazhdon: Laurentiis hap thesin pas triumfit në Seria A
Duhej të ishte takimi i fundit mes Antonio Contes dhe Napolit, por është shndërruar në një mundësi reale për një ripërtritje të marrëdhënies. Pas titullit kampion, Presidenti Aurelio De Laurentiis, i ka hedhur të gjitha kartat në tavolinë për të bindur teknikun puljez të mos rikthehet te Juventus, pavarësisht tundimeve.
Argumenti kryesor: 200 milionë euro për merkaton e verës, një investim i jashtëzakonshëm për të ndërtuar një skuadër konkurruese në Itali dhe në Champions League.
Nuk janë vetëm premtime, por edhe hapa konkretë. Drejtori sportiv Giovanni Manna ka vënë në shënjestër dy goditje të mëdha: Kevin De Bruyne, shumë pranë transferimit në mesfushë, dhe Jonathan David për repartin ofensiv.
Një tjetër sinjal pozitiv është angazhimi i klubit për përmirësimin e strukturave stërvitore, një nga pikat që Conte kishte kritikuar haptazi javë më parë.
Napoli është i vendosur të ndërhyjë në qendrën sportive dhe në fushat stërvitore, sepse, siç tha edhe vetë trajneri, "për të fituar nuk mjafton vetëm një ekip i fortë, duhen edhe mjetet për ta forcuar atë".
Nga ana tjetër, Conte ka mohuar çdo negociatë me Juventusin, duke i quajtur thashethemet si zëra që vijnë kryesisht nga Torino.
Ai nuk ka harruar zhgënjimin e janarit, me largimin e Kvaratskhelias dhe mungesën e një mbrojtësi të ri, por duket se diçka ka ndryshuar.
Vendimi përfundimtar pritet brenda fundjavës, por fakti që palët kanë lënë një takim të ri, si dhe buzëqeshjet në përfundim të takimit të fundit, mbajnë ndezur shpresën te tifozët napolitanë.
Nuk do të jetë një telenovelë e gjatë, edhe sepse në prapaskenë ndodhet Massimiliano Allegri, i cili pret të mësojë nëse do të jetë ai pasardhësi i Conte apo do të duhet të kërkojë pankinë tjetër

