"Kanadaja do të mbetet e lirë dhe e fortë"/ Referenca indirekte e Mbretit Charles ndaj ambicieve ekspansioniste të Trump
ANGLI- Kanadaja do të mbetet "e lirë dhe e fortë", theksoi sot Mbreti Charles III gjatë fjalimit të tij historik në hapjen zyrtare të parlamentit në Ottawa, në një referencë indirekte ndaj ambicieve ekspansioniste të Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Mbreti Çarls njihet si kreu i shtetit në Kanada dhe është hera e parë në pothuajse shtatë dekada që një monark britanik merr pjesë në hapjen e parlamentit kanadez.
Gjatë fjalimit të tij, Charles iu referua "vendit që unë dhe kanadezët e duam kaq shumë".
Ai nuk bëri një referencë të drejtpërdrejtë për Presidentin e SHBA-së Trump, i cili ka vendosur tarifa për produktet kanadeze dhe parashikon ta shndërrojë Kanadanë në shtetin e 51-të të SHBA-së.
"Veriu i Vërtetë është vërtet i fortë dhe i lirë", tha Mbreti Çarls, duke iu referuar himnit kombëtar të Kanadasë.
"Demokracia, pluralizmi, sundimi i ligjit, vetëvendosja dhe liria janë vlera të çmuara për kanadezët, vlera që qeveria është e vendosur t'i mbrojë", theksoi monarku 76-vjeçar, i cili ende po i nënshtrohet trajtimit për kancer, forma e të cilit nuk është zbuluar.
