Hysa: Partitë e reja dështuan të bashkohen për të krijuar një pol të tretë të fortë

E ftuar në emisionin "Drejt", gazetarja Dafina Hysa analizoi rezultatet e zgjedhjeve dhe mungesën e bashkëpunimit mes partive të reja, duke theksuar se ndasitë personale penguan krijimin e një alternative të vërtetë politike ndaj dy forcave të mëdha.

"Unë sapo vi nga transmetimi live ku përcollëm edhe fjalimin e radhës së kryeministrit. Rama një fitore historike tha ai, teksa kur lexon të dhënat ka një tjetër analizë që mund të bëhet mes rreshtave. Në fakt unë nuk i pash partitë e reja për mënyrën sesi sot pas zgjedhjeve mund ti etiketojmë dhe të vogla dhe besoj nuk do të kishim as kundërshtimin e zotit Qorri dhe as të të tjerëve.

Ka një rezultat, janë përballur tashmë dhe të gjithë e dinë sesa arritën të marrin, nëse nuk do të kishte një bashkim ose nuk do të ketë në të ardhmen.

U diskutua shumë që e kishin gjatë fushatës, e mbështetën fushatën në akuza për dy partitë e mëdha, për qeverisjet e tyre në këto tre dekada, megjithatë nuk u pa asnjë përpjekje serioze që këto parti të vinin bashkë. Të krijonin atë polin e tretë i cili do të kishte pasur në rastin më të mirë të mundshëm shumë më tepër mandate sesa sot.

Ishte synimi për të rrëzuar këtë kast politik të tre dekadave, të paktën këtë ndoqëm në diskursin e liderve kryesorë të partive të reja. Megjithatë ne nuk i pamë të organizohen.

Duken se interesat personal prevaluan më tepër sesa ky interes i përgjithshëm që këta kishin për të rrëzuar këtë kastën e vjetër politike", u shpreh Hysa.