PD: Policia po fsheh faktet për blerjen e votave në Pekisht, SPAK që të hetojë zgjedhjet

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Blendi Himçi deklaroi sot se Policia e Shtetit po fsheh faktet në lidhje me menaxhimin e provave në një lokal në fshatin Pekisht të Peqinit.

“Në komunikatën për shtyp në lidhje me menaxhimin e provave në një lokal në fshatin Pekisht të Peqinit, Policia flet vetëm për materiale zgjedhore, të falsifikuara sipas saj, duke lënë jashtë disa elementë të tjerë kriminalë. Policia e Elbasanit fsheh kartat e identiteti të cilat po vetë i ka fotografuar në tavolinën e lokalit. Po ashtu paratë që janë gjendur në mesin e provave, të përgatitura për të blerë vota, i fut në portofolin e patronazhistit socialist”, tha ai.

“Policia përmend 280 mijë lekë si pjesë e provave, ndërkohë që bëhet fjalë për lekë shqiptare, euro dhe paund britanik, siç pasqyrohen edhe në foton që shoqëron komunikatën fillestare”, theksoi ai.

Gjithashtu, shtoi Himçi, “Policia i shmanget një elementi kyç në hetim, sekuestrimit dhe këqyrjes së materialeve filmike të kamerave të lokalit. Aty do të dilte qartë nëse paratë kanë qenë në banak apo në kuletë, dhe kush ka hyrë e kush ka dalë nga lokali më 10 dhe 11 maj”. Ai gjithashtu i bëri thirrje SPAK që të hetojë zgjedhjet.