Hoxha: Marrëdhënia me Britaninë është e rëndësishme, çdo kërkesë meriton vëmendje

I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", analisti Ylli Hoxha foli për raportet mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, duke theksuar se çdo kërkesë që vjen duhet të trajtohet me seriozitet për shkak të rolit historik të Britanisë në mbështetjen e Kosovës.

"Ideja e kampit në Shëngjin si duket është bërë virale dhe duket se jo vetëm Italia ka pasur këtë lloj halli me refugjatët.

Raporti i Kosovës me Britaninë është raport i shkëlqyer diplomatik politik dhe Kosova duhet të marr me seriozitet çfarëdolloj kërkese që vjen nga ai relacion sepse mos harrojmë është Britania që ka qenë jo vetëm gjatë bombardimeve në vijë të parë të përkrahjes por edhe pas intervenimit të NATO-s gjithmonë ka luajtur rolin më pozitiv të mundshëm për Kosovën.

Besoj se kjo do të duhet të merret me seriozitet dhe sado që të jetë i pakëndshëm ky lloj vendimi për secilin shtet. Besoj se ky është një vend që duhet të mendojmë dy herë në mënyrë që të kemi kompromiset e nevojshme të cilat mundësojnë ecjen më tutje në relacionet që kemi pasur madje dhe forcimin e tyre", u shpreh Hoxha.