EMRI+VIDEO NGA VENDNGJARJA/ Aksidenti tragjik në Lushnje, 28-vjeçari dyshohet se humbi drejtimin e mjetit nga përgjumja, reagon edhe policia



Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrethrrotullimin e Kolonjës, përgjatë autostradës Fier–Lushnje, një zonë e njohur për numrin e lartë të aksidenteve me pasoja fatale.

Rreth orës 04:30, një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin kullues pranë rrethrrotullimit. Për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit, një 28-vjeçar i identifikuar si Serxhio Gogaj.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe zjarrfikësja, të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e automjetit nga kanali. Policia shkencore po kryen veprimet hetimore për të dokumentuar rrethanat e aksidentit.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkaku i aksidentit ka qenë përgjumja e drejtuesit e ndjekur nga humbja e kontrollit për shkak të shpejtësisë së lartë, çka ka sjellë përplasjen me barrierat mbrojtëse dhe rrëzimin e mjetit në kanal.

Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes — nëse ka ndodhur si pasojë e përplasjes apo nga mbytja në ujë. Trupi i viktimës është dërguar në morgun e Lushnjes.

Njoftimi i policise Lushnjë/Informacion paraprak

Rreth orës 04:50, në vendin e quajtur "Rotondo e Kolonjës", shtetasi S. G., 28 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar automjetin dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë ka rënë në një kanal me ujë dhe ka ndërruar jetë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.