Një tjetër velierë mbetet në det të hapur, Policia Kufitare e Vlorës shpëton tre persona
Nga OraNews Përditësimi i fundit 25 Maj 2025, 21:36
Një tjetër velierë ka kërkuar ndihmë mbrëmjen e sotme për shkak të motit të përkeqësuar dhe detit me dallgë. Veliera me tre persona në bord ka lëshuar sinjalin SOS në zonën midis Sazanit dhe Karaburunit.
Policia Kufitare e Vlorës i ka shkuar në ndihmë duke i shoqëruar për në zonën e Tri Portit. Sipas policisë kufitare personat në velierë janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Më herët Policia Kufitare e Vlorës dhe Roja Bregdetare i shkuan në ndihmë dy shtetasve të huaj që lundronin me një veliere, e cila kishte pësuar defekt në motor dhe kishin mbetur rreth 5 milje në det të hapur, përballë Gjirit të Gramës.