VENEZUELË – Mbi 50 politikanë, aktivistë dhe gazetarë të arrestuar përpara zgjedhjeve parlamentare

Qeveria autoritare e Venezuelës ka shtuar masat e saj të rrepta ndaj kundërshtarëve përpara zgjedhjeve rajonale dhe parlamentare të së dielës, sipas burimeve të opozitës.

Udhëheqësja e opozitës, Maria Corina Machado tha dje në platformën X se më shumë se 50 politikanë, aktivistë dhe gazetarë ishin arrestuar në një bastisje, mes tyre edhe politikani i opozitës, Juan Pablo Guanipa.

Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, konfirmoi arrestimin e Guanipa në një konferencë për shtyp, duke e akuzuar atë për udhëheqjen e një grupi që dyshohet se po komplotonte sulme terroriste për të prishur votimin e së dielës.

Cabello tha se më shumë se 70 persona ishin ndaluar ditët e fundit, me plane për të bombarduar ambasada, spitale, stacione policie dhe objekte energjetike.

Administrata e presidentit Nicolas Maduro, shpesh pretendon se ka penguar komplote që synonin rrëzimin e qeverisë.

Machado dhe figura të tjera të opozitës kanë bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të së dielës, duke thënë se nuk kishte garanci për një votim të lirë apo të drejtë.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, autoriteti zgjedhor shpalli Maduro fitues – pavarësisht akuzave për mashtrim. Opozita pretendoi fitoren dhe refuzoi ta njihte rezultatin.