Shala: Masat e BE-së ndaj Kosovës erdhën si pasojë e veprimeve të njëanshme të Kurtit, heqja e tyre mbetet sfidë
Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas nga Prishtina njoftoi se BE ka nisur largimin gradual të masave kufizuese ndaj Kosovës.
Për të kuptuar më shumë mbi këtë situatë të re mes Prishtinës dhe Brukselit, në një intervistë për “Ora News” në hapësirën “Për shqiptarët”, analisti politik në Kosovë Azdren Shala, u shpreh se mesazhi i përfaqësueses së lartë të BE-së është një qëndrim i qartë i Brukselit zyrtar, por jo i qeverisë së Kosovës.
Kjo pasi në këndvështrimin e tij, masat erdhën si shkak e veprimeve të njëanshme të kryeministrit Albin Kurti në Veri të Kosovës dhe paralelisht me këto veprime ishte një fazë e dialogut e dakordësuar në Ohër dhe si pasojë e këtyre aksioneve në Veri dhe zvarritjeve të marrëveshjeve ishin marrë këto masa dhe heqja e tyre ishte në bazë të disa kushteve.
“Dhe kushti bazë i kësaj është pranimi i Asociacionit, për të cili Qeveria e Kosovës ka marrë zotim që prej vitit 2022.
Prandaj, gjykoj se qëndrimi i BE-së është shumë i qartë, por nuk është i tillë qëndrimi i Qeverisë së Kosovës. Pra nëse do të kemi një qeveri të re pa Kurtin kryeministër kjo është pastaj krejtësisht një histori tjetër dhe duhet të flasim ndryshe.
Sa i përket diskutimeve të Kurtit i cili i ka kërkuar që Kosova të marrë statusin kandidat, kjo është më shumë një dëshirë e z. Kurtit se sa një kërkesë.
Sepse ai e di shumë mirë që në situatën konkrete ku ndodhet Kosova heqja e masave është e vetmja sfidë, e cila për mendësinë e kësaj qeverie është mbase e tejkalueshme.
Por këto deklarata janë të tilla që i shërbejnë Kurtit për propagandën e tij, por kjo është më shumë se një mungesë serioziteti ndaj BE-së. Kosova nuk është fare tashmë në agjendën e BE-së”, u shpreh ndër të tjera Azdren Shala.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ANALISTIN AZDREN SHALA

