Çikopano: Botimi i dosjes arkivore të "Topazit" zbuloi surpriza dhe të dhëna të reja
E ftuar në emisionin "Ora e Betit" në "Ora News", regjisorja dhe studiuesja Anxhela Çikopano theksoi se botimi i dosjes arkivore të "Topazit" nuk është ribotim, por një botim anastatik që zbuloi surpriza të reja, data të ndryshuara dhe revizionime të bëra gjatë viteve.
" Nuk është një ribotim "Topazi". Edhe për ne që kemi mbaruar shkollën edhe për ata që punojnë në teatër shpeshherë është si një mit që të gjithë e dimë po asnjeri nuk e ka shfletuar kurrë për ta parë sesi është brenda.
Kjo ishte ideja e Indritit që tha ta botonim ne këtë dosjen arkivore të "Topazit". Edhe meqënëse mendoi dhe që të vinim një fragment të shkurtër unë sugjerova që të bëhej një përkthim tjetër, të mos punohet me të vjetrin. Është një botim anastatik i dosjes, pra i përkthimit të vjetër nga Nonda Bulka. Tani është dhe dora e Nasi Lerës dhe janë krah për krahë të dyja versionet.
U nisa dhe thash të bëj një parathënie, janë fotot e shfaqjes, gjithçka që gjendet në dosjen arkivore. Na nxorri në surpriza të reja parathënia. Na nxorri në data të reja, zbuloi revizionime që ishin bërë me kalimin e viteve, që do të thotë që "Topazi" është një shfaqje me dy premiera", u shpreh Çikopano.
