PSE EKZISTON UNIVERSI YNË?! SHBA në garë me Japoninë për të mësuar përgjigjen

Shkencëtarë në SHBA dhe Japoni po garojnë për të zbuluar pse ekziston Universi ynë. Projekti amerikan DUNE zhvillohet në shpella të thella nëntokësore në Dakotën e Jugut, ndërsa japonezët po përdorin laboratorë të mëdhenj në formën e globit.

Brenda një laboratori të fshehur mbi mjegullën e pyjeve të Dakotës së Jugut, në pjesën veriore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkencëtarët po kërkojnë përgjigjen e njërës prej pyetjeve më të mëdha të shkencës: pse ekziston Universi ynë?

Ata janë në një garë për përgjigjen me një ekip të veçantë shkencëtarësh japonezë të cilët kanë tashmë disa vite që po merren më këtë çështje.

Teoria aktuale se si u krijua Universi nuk mund të shpjegojë ekzistencën e planetëve, yjeve dhe galaktikave që shohim përreth nesh.

Të dy ekipet po ndërtojnë detektorë që studiojnë një grimcë nënatomike të quajtur neutrino me shpresën për të gjetur përgjigje.

Njëri grup i udhëhequr nga SHBA-të beson se përgjigjja fshihet thellë nën tokë, në Eksperimentin e Neutrinos së Thellë Nëntokësore ose ndryshe Dune.

Shkencëtarët do të udhëtojnë 1,500 metra nën sipërfaqe, në tre shpella të mëdha nëntokësore.

Drejtori shkencor i këtij projekti, Dr. Jaret Heise, i përshkruan shpellat gjigante si "katedrale të shkencës".

Ai  ka qenë i përfshirë në ndërtimin e tyre për gati dhjetë vjet.

"Jemi gati të ndërtojmë detektorin që do të ndryshojë kuptimin tonë për Universin me instrumente që do të vendosen nga një bashkëpunim prej më shumë se 1,400 shkencëtarësh nga 35 vende, të cilët mezi presin t'i përgjigjen pyetjes se pse ekzistojmë", thonë ekspertët.

Gjysmë bote larg, grupi tjetër po përdor laboratorë në formën e globeve të mëdha të shndritshme për të marrë të njëjtat përgjigje.

Ekipi i udhëhequr nga japonezët do të jetë gati të ndezë rrezen e tyre të neutrinove në më pak se tre vjet, disa vjet më herët se projekti amerikan.

Të dyja eksperimentet që zhvillohen paralelisht bëjnë të qartë se shkencëtarët do të mësojnë më shumë sesa do të mësonin vetëm me njërin, por se kush e realizon I pari mbetet qëllimi kryesor.

Kur u krijua Universi, u krijuan dy lloje grimcash: materia nga e cila janë bërë yjet, planetët dhe gjithçka përreth nesh dhe, në sasi të barabarta, antimateria, e kundërta e plotë e materies.

Teorikisht, të dyja duhet të kishin anuluar njëra-tjetrën, duke mos lënë asgjë tjetër përveç një shpërthimi të madh energjie. E megjithatë, ja ku jemi ne.