Çobani: Teatri Kombëtar, një rrugëtim ëndrrash, pasionesh dhe sakrificash
I ftuar në emisionin "Ora e Betit" në "Ora News", regjisori dhe drejtori i Teatrit Kombëtar Indrit Çobani theksoi rëndësinë e 80-vjetorit të Teatrit Kombëtar si një moment reflektimi, nderimi dhe kërkimi të rrugëve të reja përballë sfidave të së ardhmes, duke theksuar botimin e veçantë kushtuar shfaqjes së parë “Topazi”.
"Teatri Kombëtar është një nga institucionet më të rëndësishme të identitetit kombëtar dhe ky 80 vjetor si të gjithë përvjetorët në fakt janë stacione të rëndësishme, jo vetëm për të kujtuar, nderuar, reflektuar por edhe për të parë së brendshmi dhe për të kërkuar rrugë të reja dhe për të parë mundësinë e përballimit të sfidave të reja që do të sjell e ardhmja sigurisht edhe raporti që është me të tashmen.
Ky 80 vjetor i teatrit që është muaji maj, nuk është se kemi një datë fikse për shfaqjen e parë "Topazi". Është një botim shumë i rëndësishëm që bëhet për shfaqjen e parë "Topazi" të Teatrit Kombëtar, ku janë mbledhur ndoshta një pjesë e mirë e gjithë dokumentacionit që lidhet me këtë shfaqje, për jetën që ka pasur kjo shfaqje, për trupën e parë që ka interpretuar, për mënyrën sesi u ndërtua, sesi u ngjit në skenë, pse u zgjodh kjo shfaqje që të ishte aj që do të ishte e para e kështu me radhë.
Uroj shumë që ky botim të përsëritet në vazhdimësi edhe për stacionet e tjera të rëndësishme që ka Teatri Kombëtar në rrugëtimin e vet që është një rrugëtim i bukur, ëndërrash, pasionesh, krijimtarish, personalitetesh por edhe sigurisht vështirësish, sakrificash dhe ikjesh", u shpreh Çobani.
