Papa Leoni XIV takon përfaqësuesit e SHBA-së, JD Vance dhe Marco Rubio

Papa Leoni XIV zhvilloi një takim privat me Zëvendëspresidentin amerikan JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, ku u diskutua mbi marrëdhëniet SHBA–Vatikan, lirinë fetare dhe krizat ndërkombëtare. Të dyja palët bënë thirrje për respektimin e ligjit humanitar dhe mbështetjen e zgjidhjeve të negociuara në zonat e konfliktit.

Papa Leoni XIV mbajti një takim privat me Zëvendëspresidentin e SHBA-së JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio të hënën, bëri me dije Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

Takim i cili erdhi një ditë pasi ceremonisë së inaugurimit të papës së ri me prejardhje amerikane nga ku morën pjesë edhe dy përfaqësuesit e SHBA-së.

Në një deklaratë, nga Selia e Shenjtë u tha se të dyja palët kishin shprehur kënaqësi me marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Vatikanit gjatë bisedimeve ballë për ballë të hënën. Midis tyre u diskutua mbi lirinë fetare dhe bashkëpunimi midis kishës dhe shtetit, ku mori pjesë edhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio.

"Së fundmi, pati një shkëmbim pikëpamjesh mbi çështjet aktuale ndërkombëtare me një thirrje të përbashkët për respektimin e ligjit humanitar dhe ndërkombëtar në zonat e konfliktit, si dhe mbështetje për zgjidhje të negociuara midis palëve të përfshira” thuhej në deklaratë.

Audienca papale zgjati 45 minuta, tha zëdhënësi i Vance. Ajo u zhvillua me dyer të mbyllura pa praninë e gazetarëve.

Pas audiencës private me Papën e lindur në Amerikë, Z. Vance u takua me Kryepeshkopin Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Të dielën, Vance tha se Shtetet e Bashkuara ishin "shumë krenare" për papën e lindur në Çikago. "Sigurisht që lutjet tona shkojnë me të ndërsa ai fillon këtë punë shumë të rëndësishme", tha zëvendëspresidenti.

Papa Leoni, ish-Kardinali Robert Prevost, është një misionar augustinian i lindur në Çikago.

Më herët para zgjedhjes së tij si papa i ri, ai kishte drejtuar kritika ndaj administratës së Trump mbi dëbimin e emigrantëve.

Ndërsa me marrjen e detyrës Papa Leoni ka theksuar vazhdimësinë e tij me Papa Françeskun, i cili e bëri kujdesin për migrantët dhe të varfrit një përparësi të papatit të tij.