Vlora çel sezonin turistik, qytetarë të shumtë në aktivitetet e organizuar nga bashkia

Nën ritmet e muzikës, këngëve dhe valleve, si edhe me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të disa prej artistëve më të njohur shqiptarë dhe grupeve të huaja artistike, qyteti bregdetar i Vlorës çeli dje zyrtarisht, sezonin turistik 2025.

Fundjava ka sjellë një sërë aktivitetesh si ato sportive e kulturore, ndërsa nuk kanë munguar performancat nga artistët më të mirë shqiptarë.

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha publikoi në rrjetet sociale foto nga aktivitetet e organizuara sot përgjatë vijës bregdetare, ku nuk mungonin të gjithë grupmoshat.

“Sportet janë dhe do të jenë gjithmonë prioritet i këtij qyteti me energji të mirë që këtë të diel është mbushur plot gëzim!”, shkruan në rrjetet sociale Dredha.

Në Vlorë, turizmi gjithëvjetor është karakteristikë kryesore e zhvillimit të këtij qyteti bregdetar, ku vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj shijojnë kulinarinë e qytetit bregdetar, por edhe peizazhet e mrekullueshme të Labërisë.

Pritshmëritë për sezonin e ri janë të larta nisur edhe nga interesi i të lartë nga të huajt.