AFP: Rama mikpret Evropën e mbledhur në Tiranë, pavarësisht shiut
I veshur me atlete me ngjyrat e samitit dhe me trupin e tij të gjatë të mbrojtur nga shiu nga një ombrellë e errët, kryeministri shqiptar, Edi Rama luajti sot rolin e tij të preferuar në Tiranë, atë të eurofilit entuziast.
Nga kryeqyteti i tij, “ku e gjithë Evropa është mbledhur sot dhe ku e gjithë bota do të jetë duke parë”, ai priti me krahët hapur dhjetëra krerë shtetesh që morën pjesë në samitin e 6-të të Komunitetit Politik Evropian.
Si drejtues ceremonie, i vetëm mbi tapetin e kuq, kryeministri socialist priti secilin udhëheqës në një shi që alternohej midis atij të imëtit dhe të dendurit.
Kur kryeministrja italiane Giorgia Meloni iu bashkua, ai u ul në gjunjë para “motrës së tij”, siç i pëlqen ta thërrasë. Me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i veshur i gjithi me të zeza, ai eci shpejt duke e shoqëruar deri në derën e Teatrit të Operës.
Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron doli nga makina e tij, duke buzëqeshur, kryeministri shqiptar thërret: “Ja ku po vjen Mbreti Diell!”. Shtrëngimi i duarve shoqërohet me një përqafim.
Emmanuel Macron qëndron pas këtij Komuniteti Politik Evropian (EPC), i cili bashkon anëtarët e Bashkimit Evropian dhe 20 vende të tjera, i krijuar disa muaj pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.
Konflikti ka shumë të ngjarë të dominojë diskutimet e sotme, ndërsa udhëheqësit vlerësojnë mundësitë e tyre për rritjen e presionit ndaj Rusisë.
Por, përpara fjalimeve dhe takimeve dypalëshe, Edi Rama u ofroi të gjithë udhëheqësve një shfaqje shqiptare. Të ulur krah për krah në teatrin e operës, ata u argëtuan duke dëgjuar muzikë tradicionale dhe duke parë valle që, të ndërthurura me video, që i bënin homazh vendit të tyre.
Salla shpërthen në të qeshura kur të gjithë krerët e shteteve shfaqen në ekran, të transformuar në foshnje falë inteligjencës artificiale, nën tingullin e një “Mirë se vini në Shqipëri”.
– Shiu “britanik” –
Duke pritur një samit të lënë në hije nga negociatat midis rusëve dhe ukrainasve në Stamboll, Rama bëri gjithçka që mundi për t’u siguruar që ky edicion në shqip të përmbushte dashurinë e tij për Evropën – dhe shijen e tij për vërejtje të zgjuara.
“Së pari duhet të ndaj disa informacione të ndjeshme. Kishim dyshimet tona, por tani është vërtetuar shkencërisht nga Instituti Evropian për Parashikimin e Motit: delegacioni britanik solli dje në mëngjes shi të vazhdueshëm – jo shi vendas”, tha ai në fillim të diskutimeve.
Dhe më pas i jep fjalën Macron me një “madhëri”.
Diskutimet u zhvilluan në Shtëpinë e Evropës, një tendë e madhe e ngritur në sheshin kryesor të Tiranës nga vetë Rama, e zbukuruar me vizatime fëmijësh që përshkruanin “ëndrrat e Evropës” të Shqipërisë.
I rizgjedhur për një mandat të katërt të dielën e kaluar, Rama premtoi ta çonte vendin e tij në BE deri në vitin 2030 dhe e bëri fushatën në zgjedhjet e fundit parlamentare me një yll të kuq si flamuri shqiptar dhe një yll blu dhe të verdhë si ai i BE-së.
