BËNË HAKA NË PARLAMENT! Tre deputetë maori rrezikojnë pezullim në Zelandën e Re

Tre deputetë të Partisë Maori në Zelandën e Re rrezikojnë pezullimin pasi protestuan në parlament me vallëzimin tradicional haka, kundër një projektligji që prek traktatin me popullin e tyre. Partia e quan ndëshkimin një përpjekje për të heshtur zërin dhe kulturën indigjene.

Në Zelandën e Re, një komision parlamentar ka propozuar pezullimin e tre deputetëve të Partisë Maori, pasi ata kryen një haka, një kërcim tradicional maori gjatë një seance parlamentare vitin e kaluar si formë proteste.

Veprimi i deputetëve Maori nuk u dënua menjëherë, sepse shumë njerëz në publik dhe në politikë e panë si një shprehje legjitime e kulturës dhe protestës. Prandaj, fillimisht kishte hezitim për të vepruar me ashpërsi.

Por tani, pasi projektligji është rrëzuar këtë javë me 112 deputetë që votuan kundër dhe vetëm 11 pro dhe tensionet politike janë ulur disi, disa figura veçanërisht nga kampi konservator po kërkojnë që të mbahet përgjegjësi për atë që ndodhi.

Gjithçka nisi kur deputetja Hana-Rawhiti Maipi-Clarke u pyet nëse partia e saj do ta mbështeste projektligjin për ndryshimet e Traktatit të Waitangi.

Marrëveshja është nënshkruar në vitin 1840 midis qeverisë britanike dhe shumë krerëve të fiseve Maori në Zelandën e Re. Ai është konsideruar dokument themelues i shtetit dhe bazohet në tre parime kryesore, sovranitet i përbashkët që d otë thotë qeveria dhe populli Maori ndajnë pushtetin, mbrojtja e tokave dhe burimeve të Maorëve si dhe të drejta të barabarta për qytetarët.

Por traktati ekziston në dy versione një në anglisht dhe një në gjuhën maori dhe ato nuk përputhen plotësisht, çka ka shkaktuar debat për dekada të tëra.

Projektligji i propozuar nga qeveria konservatore donte të rishkruante ligjërisht “parimet” e Traktatit, duke hequr referencat për sovranitet të përbashkët, që do të thotë se Maori nuk do të kishin më një zë të veçantë në qeverisje, duke nënkuptuar që Maorit kanë të njëjtat të drejta si gjithë qytetarët, por jo më trajtim të veçantë apo autonomi për çështjet që i prekin ata si popull indigjen si dhe duke vogëluar fuqinë ligjore të traktatit në gjykata dhe në politikë.

Në vend të një përgjigjeje të zakonshme, ajo dhe kolegët e saj u ngritën dhe filluan hakën në sallën e parlamentit. Ky projektligj, i cilësuar si shumë i debatueshëm, është rrëzuar që prej asaj kohe.

Komisioni vlerësoi se veprimi i tyre mund të ketë pasur efekt frikësues ndaj deputetëve të tjerë dhe ka rekomanduar pezullimin e Maipi-Clarke për një javë, si dhe pezullimin për 21 ditë të dy drejtuesve të partisë, Raëiri Ëaititi dhe Debbie Ngarewa-Packer.

Partia Maori e kritikoi ashpër vendimin, duke e quajtur atë një përpjekje për t’i heshtur zërat indigjenë. Në një deklaratë, ata thane: “Kur njerëzit vendas rezistojnë, pushteti kolonial i ndëshkon në mënyrë të ashpër.”

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Winston Peters, i cili gjithashtu është me origjinë maori, e quajti protestën e tyre të papërgjegjshme.