Conceição: Jemi gati për një finale të madhe, të përgatitur për çdo skenar

Milani ndodhet në prag të një sfide vendimtare: finalja e Kupës së Italisë kundër Bolognës është një mundësi kyçe për të shpëtuar një sezon me shumë ulje dhe pak ngritje.

Një fitore do të sillte trofeun e dytë pas Superkupës dhe një vend të sigurt në Europa League. Trajneri Sergio Conceição, në konferencën për shtyp, theksoi rëndësinë e momentit:

“Presioni është pjesë e historisë së këtij klubi. Kemi pasur rritje në lojë dhe në rezultate. Tani duhet të jemi të përgatitur për çdo skenar.”

Për sfidën, Conceição konfirmoi rikthimin e Leao-s pas pezullimit, por Fofana mbetet në dyshim për shkak të një problemi në këmbë. Në sulm, ballafaqimi mbetet i hapur mes Jovic dhe Gimenez, me serbin pak më të favorizuar.

Duke komentuar sezonin, Conceição theksoi unitetin e skuadrës dhe dëshirën për të shpërblyer tifozët në një vit të vështirë:

“Nuk ka frikë, ka vetëm përqendrim dhe dëshirë. Grupi është i qetë dhe gati për një finale të madhe.”