Forumi i Investimeve SHBA-Arabia Saudite nis me pjesëmarrjen e Presidentit Trump dhe liderëve globalë të biznesit
Forumi i Investimeve mes Arabisë Saudite dhe Shteteve të Bashkuara nisi këtë të martë në kryeqytetin Riad, ku Presidenti amerikan Donald Trump pritet të marrë pjesë krahas drejtuesve të kompanive më të mëdha botërore dhe liderëve të tjerë qeveritarë.
Presidenti Trump mbërrin sot në Arabinë Saudite për të nisur një turne diplomatik në Gjirin Persik, me ndalesa të planifikuara edhe në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë javës.
Vizita vjen ndërsa Uashingtoni synon të nxisë më shumë investime nga shtetet e pasura të rajonit, në një moment kur tensionet tregtare me Kinën janë qetësuar dhe administrata Trump kërkon të forcojë bashkëpunimin strategjik dhe ekonomik në Lindjen e Mesme.
Në Riad, Trump do të zhvillojë një takim me Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, i cili ka premtuar të investojë deri në 600 miliardë dollarë në SHBA brenda katër viteve.
Presidenti amerikan ka bërë të ditur se synon ta rrisë këtë shumë në 1 trilion dollarë, si pjesë e një plani më të gjerë për zhvillim ekonomik reciprok.
Arabia Saudite, nga ana e saj, do të kërkojë mbështetje për strategjinë e saj transformuese “Vision 2030”, e cila synon të shkëpusë ekonominë e vendit nga varësia ndaj naftës dhe të tërheqë më shumë se 100 miliardë dollarë investime të huaja direkte çdo vit.
Fokusi do të jetë në sektorë si teknologjia, inteligjenca artificiale, minierat, turizmi dhe mbrojtja.
Në forum do të marrin pjesë mbi 2,000 delegatë dhe do të diskutohet për temat kyçe si qëndrueshmëria, teknologjia, mbrojtja dhe kujdesi shëndetësor.
Pjesë e listës së folësve janë personalitete të njohura si CEO-t e Blackstone, BlackRock, Citigroup, IBM dhe drejtues të Google dhe Alphabet.
Gjithashtu pritet edhe pjesëmarrja e David Sacks, i emëruar së fundmi si këshilltar për inteligjencën artificiale dhe kriptomonedhat në Shtëpinë e Bardhë.
Pas qëndrimit në Riad, Trump do të marrë pjesë të mërkurën në një samit të liderëve të Gjirit, përpara se të udhëtojë drejt Katarit dhe më pas Emirateve të Bashkuara Arabe.
Emiratet kanë premtuar tashmë një investim rekord prej 1.4 trilionë dollarësh në SHBA për 10 vitet e ardhshme, ndërsa Katari pritet të shpallë angazhimin e tij financiar në ditët në vijim.
Katari i ka ofruar gjithashtu Presidentit Trump një aeroplan luksoz prej 400 milionë dollarësh si zëvendësues të përkohshëm për Air Force One, për shkak të vonesave të prodhimit në Boeing.
Ky gjest është kritikuar nga demokratët si një shkelje e mundshme e klauzolave kushtetuese mbi dhuratat nga shtetet e huaja.
Pavarësisht sfidave me çmimet e ulëta të naftës dhe kriticizmit të brendshëm, vendet e Gjirit po kërkojnë të rivendosin dhe thellojnë lidhjet strategjike me SHBA-në, pas një periudhe ftohjeje gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump.
