11 maji, procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore në qarkun e Kukësit ndiqet nga vëzhgues të OSBE/ODIHR

Në Qarkun e Kukësit, procesi i shpërndarjes së bazës materiale për zgjedhjet ka nisur që në orën 15:00 në KZAZ 10, në Bashkinë Has.

Kryetari i kësaj KZAZ, ka njoftuar se gjithçka po shkon sipas planit të shpërndarjes dhe komisionerët janë paraqitur në kohë. Ai shtoi se pritet që në orën 18:00 të shpërndahen të gjitha materialet zgjedhore dhe se komisionerët do të paraqiten pranë qendrave të votimit që në orën 06:00 të mëngjesit.

Në Bashkinë Has janë 28 qendra votimi (QV), me gjithsej 16,543 votues në listë. Më herët, KZAZ nr. 09 në Tropojë realizoi shpërndarjen e të gjithë bazës materiale për 38 QV, me 21,078 votues.

Në këtë kontekst, procesi i monitorimit po ndiqet nga një ekip i vëzhguesve të OSBE/ODIHR. Në Qarkun e Kukësit, janë dislokuar tre ekipe të vëzhguesve afatshkurtër në Kukës, Has dhe Tropojë, me gjithsej 6 vëzhgues.

Përveç tyre, janë gjithashtu 2 vëzhgues afatgjatë, duke e çuar në total numrin e vëzhguesve të OSBE/ODIHR në Qarkun e Kukësit në 8.